Dosja e ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla i cili është zyrtarisht nën hetim për pastrim parash nga Prokuroria e Durrësit, duket se ka shumë xhevahire brenda. Por njëra prej tyre, të verbon me shkëlqimin e saj të zi.
Bëhet fjalë për një kontratë shitblerje pasurie të patundshme, një toke me një sipërfaqe prej 2. 250 metrash katrorë në fshatin Qeha Shytaj, në Njësinë Administrative Baldushk, Tiranë. Këtë fshat Llalla pothuajse e ka blerë blerë “të gjithin”, po të kemi parasysh se kjo kontratë për të cilën po flasim është më e vogla mes katër kontratash të tjera për blerje sipërfaqesh toke deri mbi 25 mijë metra katrorë.
E veçanta e kësaj kontrate prej 2 250 metrash katrorë që kemi veçuar sot, qëndron tek një fakt skandaloz, i cili besohet se është bërë edhe një nga shkaqet e panumërta për ta zhytur dhe për ti bërë përfundimisht “gropën” Llallës, duke i detyruar hetuesit që të vendosin të nisin zyrtarisht hetimet për të, me akuzën për “pastrim parash në përmasa të mëdha”.
Çfarë ka kaq të veçantë në këtë dokument?
E veçanta qëndron në faktin se duke u blerë në 15 majin e një viti më parë (përpara 10 muajsh) për këtë sipërfaqe toke në zonën më të shtrenjtë dhe më të lakmuar të tregut imobilar të kryeqytetit, Llalla ka paguar për ta blerë me vetëm 500 lekë metri katror (?!) Dhe kur ka kaluar pothuajse vetëm një javë, në datën 24 maj e ka rivlerësuar po të njëjtën tokë me një çmim mbi 17 herë më të lartë. Pra brenda pak orësh, ajo tokë që vlente 500 lekë metri katror tani vlen mbi 85 dollarë metri katror.
Ose e thënë ndryshe e njëjta pronë që sot e ka blere vetë Adriatik Llalla për 1 milione e pak lekë, pas një jave vlente rreth 200 mijë dollarë. (191 milion e 899 mijë lekë). Përveçse një skemë krejt banale pastrimi parash të pista, ekspertët thonë se kjo tregon ose një papërgjegjshmëri totale, ose një arrogancë dhe vetsiguri absolute se nuk do i hynte asnjëherë gjemb në këmbë.