37 ditë para se anëtarët e Qeverisë së tij në delegacionin shqiptar në Këshillin e Evropës të bashkonin votat me anëtarët rusë për të votuar raportin e Dick Marty kundër Kosovës, Kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë Sali Berisha priti në Tiranë një prej njerëzve më të besuar të Vladimir Putinit, Konstantin Kosachev, i cili në atë kohë mbante pozicionin e rëndësishëm të kryetarit të Komisionit të Jashtëm në parlamentin rus (Duma ruse).
Teksa ka publikuar njoftimin për shtyp të vetë zyrës së Berishës të 17 dhjetorit 2010, Kryeministri Rama e ka quajtur si momentin kur u përgatit ‘thika pas shpine për Kosovën dhe Shqipërinë”. Rama shkruan se Berisha ka biseduar me Konstantin Kosachev rreth një muaj para se të votohej raporti i Dick Marty në Këshillin e Evropës dhe se pikërisht këtu ‘u gatua’ ajo që ai e quan “Çorba e rublave”.
“Një muaj përpara bashkimit të duarve për t’i ngulur thikën pas shpine Kosovës dhe Shqipërisë në Strasburg, Çorba e Rublave është gatuar në Tiranë gjatë një vizite të përfaqësuesit të Putinit, e vlerësuar “shumë e rëndësishme” nga zyra e vulëhumburit tanimë të damkosur: Non Grata!” – shkroi Rama në Twitter.
Pak minuta para Ramës ishte kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ai i cili në Facebook e konsideroi këtë takim si vërtetim të faktit se ‘Tradhtia ka emër’.
“Si dhe sa e shiti Sali Berisha votën dhe heshtjen e Qeverisë shqiptare asokohe ndaj kësaj Rezolute? Si hyri Partia Demokratike në bordoronë e Kremlinit pas këtij takimi dhe sa milionë rubla janë transferuar në llogaritë apo në interes të Sali Berishës?”, pyet Balla.
Berisha e quante ‘takim shumë të rëndësishëm’
Shumë të rëndësishëm për të dyja vendet e konsideronte Berisha takimin me z. Kosachev, sipas vetë njoftimit të Zyrës së shtypi të Kryeministrit të asaj kohe.
“Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë vizitë, e cila përbën një kontribut të ri në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Nga ana e tij, Zoti Kosachev e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe e uroi atë për arritjen historike, liberalizmin e vizave për qytetarët shqiptarë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kësaj bisede i kishte paraprirë më 22 nëntor 2011 një takim i kryetares së atëhershme të Shqipërisë Jozefina Topalli me Kryetarin e Dumës Shtetërore Boris Gryzlov. Vetë zyrtari i lartë rus e konsideronte këtë takim shumë të rëndësishëm, madje veçonte edhe bashkëpunimin e ngushtë të dy vendeve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Delegacionet tona parlamentare bashkëpunojnë aktivisht në strukturat ndërkombëtare, mbështesin njëri-tjetrin në PACE, PABSEC, AP të NATO-s. Është menduar të shqyrtohet çështja e krijimit të një grupi miqësie me Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Dumës ruse para 12 vitesh.
Kush është Konstandin Kosaçev, thirrje për luftë bërthamore
Kostantin Kosachev njihet si një prej njerëzve më pro Putin në Rusi. Ai e ka shprehur hapur mbështetjen e tij të pakursyer edhe në agresionin ushtarak kundër Ukrainës. Pasi Duma ruse aneksoi 4 rajonet e Ukrainës disa javë më parë, Putin urdhëroi mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve rusë duke nënkuptuar se përdorimi i armëve bërthamore ishte i mundur. Këtë vendim e mbështeti fuqishëm edhe Kosachev, i cili në shtator 2022 tha: “Mbrojtja e njerëzve në këtë rajon nuk do të jetë e drejta jonë, por detyra jonë. Një sulm ndaj njerëzve dhe territoreve do të jetë një sulm ndaj Rusisë që do të ketë të gjitha pasojat”.
Shqipëria kërkon zhbërjen e raportit të Dick Marty
Raporti i Dick Marty-t që hedh akuza për UÇK-në, është cilësuar nga kryeministri Edi Rama, si “fake news” më i rëndë në histori që baltos luftën e një kombi për liri, e që për fat të keq, prej tij, sot qëndrojnë të burg njerëz që luftuan për paqen.
Në një fjalim që zgjati rreth 1 orë në Asamblenë në Këshillit të Europës më 12 tetor, kreu i qeverisë shqiptare iu ka kërkuar që ta zhbëjnë këtë raport, që të rrëzojnë akuzat që vijnë në drejtim të Kosovës dhe ish-drejtuesve të UÇK-së, jo për hir të Prishtinës zyrtare apo Shqipërisë, por për nderin e Europës. Rama nuk i ka ndalur me kaq përpjekjet, që siç thotë ai, janë për të hequr njollën e turpit të trafikimit të organeve njerëzore mbi kombin tonë dhe mbi vetë Këshillin e Europës.
Ai u nisi një javë më pas një letër kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të 46 vendeve anëtarë të Këshillit të Europës, teksa u bën me dije se nuk ka as një provë në lidhje me pretendimet e ngritura për trafikimin e organeve njerëzore, qoftë në Shqipëri a qoftë në rajon, e cila do të mund t’i ngarkohej qoftë edhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Në gusht 2022, Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011).
Çfarë thoshte raporti i Dick Marty?
Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjesëtarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova. Sot, bazuar mbi këtë raport, vijojnë të jenë në Hagë prej më shumë se një viti ish-drejtuesi i UÇK, ish presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.