Nga Artur Ajazi
Kur ambasadori i SHBA zoti Donald Lu ka folur për “peshqit e mëdhenj”, çuditërisht në PD nuk ka patur asnjë minutë qetësi, nuk ka patur asnjë minutë situatë normale, duke nisur nga zyrat e lidershipit, e duke përfunduar tek ato të “ushtarëve” të vegjël që kryejnë shpesh edhe punë të mëdha. Qetësia u ka humbur të gjithëve, sepse në heshtje dhe në momente zhurmash, ata ripërsërisin vazhdimisht thënien “qeveria e korruptuar, drejtësi e kapur nga Rama”, duke vazhduar me vrimën e fundit të kavallit, “arrestimet politike”. Dhe fakti është se arrestimet e bëra nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ekzekutimi i tyre korrekt nga Policia e Shtetit, ishin ndoshta vetëm fillimi i një operacioni në shkallë të gjërë, që pritet të përfshijë dhjetra e dhjetra emra të dëgjuar nga politika dhe strukturat e tjera të shtetit në 27 vite. Thuhet se “peshqit e mëdhenj” duke parë se si po shkon situata, kanë nisur të lëvizin për të “çarë rrjetën”, por e kanë të pamundur.
Duke e nisur nga përgjegjësit e rrugëve, nuk ishte e thënë, se domosdoshmërisht duhej ta nisnin nga LSI, pavarsisht se nga atje ka gjasa të dalin edhe “peshkaqenë të mëdhenj” që do të bien në rrjetën e organeve të drejtësisë. Por shqetësimin dhe tërbimin e PD-së nuk e kuptoj njeri. Nuk e kuptoj përse atje nuk ka qetësi, përse atje ish-qeveritarët e 2005-2013 janë inatosur, kanë humbur qetësinë e dikurshme, madje ka prej tyre që po rrahin edhe qytetarë të zakonshëm rrugëve të Tiranës, për një fjalë goje. Çfarë i mundon, çfarë meraku kanë në qoftëse janë të “larë” dhe në rast se nuk kanë “ngjyer” jo gishtin por dorën me milionat e eurove të investimeve kur ishin ministra, zv/ministra, apo edhe drejtorë drejtorish ? Pasi u arrestuan 10 ish-zyrtarët e lartë të rrugëve, gjithmonë e më tepër njerëzit pyesin “ore po në PD ka peshq të mëdhenj”. Dhe përgjigja vjen natyrshëm dhe pa shumë mundime, “po edhe në PD ka peshq dhe peshkaqenë të mëdhenj, për të mos thënë se ka edhe balena”.
Të bësh hipokritin, të bësh të paditurin, të bësh gjyhnaqarin, të bësh trimin, të bësh servilin, dhe të bësh rrebelin ndaj qeverisjes, ndaj kryeministrit, ndaj Kryeprokurores, ndaj kryetarit të Kuvendit, ndaj Kryepolicit të Shtetit, apo edhe ndaj ligjeve të shtetit, do të thotë se diçka të mundon, diçka të prish gjumin, qetësinë, fjalorin, dhe formën fizike. E vërteta është se prej vitesh “peshqit dhe peshkaqenët” e mëdhenj edhe nga PD, kanë mundur të ndërtojnë mes tyre dhe LSI, guvat e fshehta, kanë mundur të ndërtojnë mes tyre aleanca të ndryra, që mendonin ti kishin jo nga “dashuria” por nga halli për të mbajtur të sigurta dhe të paprekshme pasuritë e vëna nga paratë e vjedhura dhe të zhvatura nga djersa dhe taksat e shqiptarëve. Në rast se tek Monika gjenden sot akuariumë me “peshq të vegjël dhe të mëdhenj”, tek PD ka rezervuarë me të tillë, që presin me ankth çfarë do të ndodhë sot, çfarë do të ndodhë nesër, që presin me ankth kur bie dera dhe kur bie telefoni. Një pjesë e mirë e tyre e trembur, e djersitur, e inatosur, dhe natyrisht e gatshme për të dalë në “protesta të përjavshme” vetëm e vetëm për të shvendosur vëmëndjen e shqiptarëve, por jo të Arta Markut.
Në muajin dhjetor 2017, ambasadori amerikan zoti Lu foli qartë dhe shqip, ai e shoqëroi paralajmërimin e tij, me një karikaturë, ku ai shfaqet në një varkë, duke pritur që ndonjë “peshk të bjerë në grepin e tij”. Zoti Lu, deklaroi se “brenda muajit janar 2018, do të ndodhnin arrestime, më në fund, do të hamë peshkun e madh” dhe nuk gaboi. Nga ana e tyre edhe përfaqësues të BE, vazhdimisht kanë theksuar se “rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do ta shpejtonin hapjen e negociatave”. Pra shihet se SHBA dhe BE, janë të prirura të besojnë se, para samitit europian të Sofies në maj të këtij viti, “do të kemi arrestime me rëndësi në Shqipëri”, hapa prej të cilave varen negociatat e anëtarësimit në BE. Dhe reagimi i parë nga ndryshimi i duhur ka ardhur. Ardhja e Arta Markut, ka përmbysur gjithçka kishte ngritur Tiku dhe ushtarët e tij në Prokurorinë e Përgjithshme, duke nxjerrë nga sirtarët e kalbur të hetimeve, dosjet e bujshme që ai mbante të fshehura prej 7 vitesh.
Tashmë është e qartë se “rrjeta” e Arta Markut është e padepërtueshme, është e fortë dhe ka brënda saj peshq goxha të mëdhenj, madje peshkaqenë dhe balena, duke shuar çdo shpresë dhe mundësi të atyre që krijuan “frontin opozitar, që kërkojnë “qeveria antimafie” dhe që bërtasin fort për “detin e falur”. Rrjeta e Arta Markut, shumë shpejt do të mbushet me “peshq blu”, “peshq të bardhë” dhe të çdo ngjyre, për ti detyruar ata të japin llogari për gjynahet e dikurshme dhe të sotme, duke e nisur nga shkeljet ligjore e duke përfunduar tek milionat e zhvatura të taksapaguesve shqiptarë në vite.