Presidenti amerikan Donald Trump duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One të dielën në mbrëmje, ka deklaruar se SHBA-të janë “në krye” të Venezuelës pas arrestimit të Presidentit Nicolás Maduro.
Ndër të tjera ai nënvizoi se SHBA-të ishin përgatitur për veprime të mëtejshme ushtarake në Venezuelë, por deri më tani nuk kishin qenë të nevojshme, duke shtuar se kjo mund të ndryshojë “nëse nuk sillen siç duhet”.
“Ne e kemi kontrollin në Venezuelë. Kemi të bëjmë me njerëz që sapo kanë marrë detyrën. Mos më pyetni se kush është në krye, sepse do t’ju jap një përgjigje që do të jetë shumë e diskutueshme”, tha Trump, duke iu përgjigjur një gazetari që e pyeti nëse kishte folur me udhëheqësen e përkohshme Delcy Rodriguez.
“Kjo do të thotë se ne e kemi kontrollin”, përsëriti edhe njëherë presidenti i SHBA-së, teksa shtoi se Kuba është “gati të bjerë”.
Trump nënvizoi se do të ishte e vështirë për Havanën të “mbahej” pa marrë naftë venezueliane të subvencionuar shumë.
“Nuk mendoj se është e nevojshme ndonjë veprim; duket sikur po shembet”, shtoi ai.
Gjatë kësaj interviste Trump gjithashtu paralajmëroi homologun e tij , Gustavo Petro, se do të dërgonte “një mision amerikan” në vendin e tij të ngjashëm me atë që sulmoi disa zona të Venezuelës dhe çoi në kapjen e Presidentit Venezuelian Nicolás Maduro.
“Kolumbia qeveriset nga një njeri i sëmurë dhe ai nuk do të jetë për shumë gjatë”, tha Trump.
“Kemi nevojë për Groenlandën” për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, ka përsëritur presidenti amerikan Donald Trump para gazetarëve në bordin e Air Force One. Dhe “Bashkimi Europian ka nevojë të ketë Groenlandën gjithashtu”, vijon ai. “Ne kemi nevojë për të”, shpjegon, “nga një këndvështrim i sigurisë kombëtare, është kaq strategjike. Tani është përplot me anije ruse e kineze dhe Danimarka nuk do të mundet ta përballojë”, vijon Trump, para se të shtonte me shaka se Kopenhaga përmirësoi sigurinë e Groenlandës duke shtuar një “slitë qensh.”
Duke iu kthyer temës për Venezuelën, ai tha:
Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për akses të plotë ndaj naftës dhe burimeve të tjera në Venezuelë.






