Kryebashkiaku i komanduar Zhuljen Varfaj ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme, e ndërsa në vendin e tij është emëruar Emirjana Sako.
Lajmi është konfirmuar për Report Tv nga vetë Varfaj i cili ka bërë me dije se shkak ka qenë gjendja e tij shëndetësore jo e mirë, e cila është ndërlikuar për shkak të COVID-19. Varfaj shprehet se për shkak se është sëmurë, i ka kufizuar daljet nga shtëpi, duke ia bërë të pamundur drejtimin e Bashkisë, në një kohë kur sipas tij duhet të ishte prezent gjithë ditën në ndihmë të qytetarëve.
“Puna e koronavirusit e ndërlikoi situatën time, unë jam i sëmure dhe duhet të ruhem. Kisha kufizuar vajtjen në punë, në një kohë që bashkia më do prezent gjithë ditën. Kjo ishte zgjidhja më e mirë, që në krye të bashkisë të ishte dikush që është prezent në punë”, tha ai.
Zhyljen Varfaj mori detyrën pas largimit të kryetares së dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Valbona Sako. Kjo e fundit u tërhoq nga ky post pas gafës ku u shpreh se “qeveria është e kënaqur që nga tërmeti pati 51 viktima”.
Varfaj është marrë me menaxhimin e situatës pas tërmeti dhe me procesin e rindërtimit në Durrës, një nga zonat më të prekura. Ai ka mbajtur më herët postin e nënkryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe mori kompetencat drejtuese të Bashkisë së Durrësit, deri në zgjedhjen e një kryebashkiaku të ri. /Shqiptarja.com