Dosja “Zarka” mund të mos jetë më e bujshmja, por pa dyshim është ajo që sfidon integritetin e SPAK. Në komunikimet e Sky, të zbardhura në këtë dosje, indicie për shkelje të etikës më së paku dhe ligji më së shumti, rezultojnë edhe prokurorë e gjyqtarë të vetë Strukturës, por edhe të Prokurorisë dhe Gjykatës se Tiranës.
Kryesisht, ata dalin në komunikimet për të sistemuar dosjen e famshme “Toyota Auris”, në formën më të butë të mundshme për të hetuarit. Përpjekjet që nisën në Prokurorinë e Posaçme, me letërporositë e autoriteteve belge dhe vijuan pas shpalljes së moskompetencës, në Prokurorinë e Tiranës.
Në këtë dosje, që lexuam, përmenden nga të pandehurit, si persona që i kanë ndihmuar dhe do t’i ndihmojnë, duke u konsideruar pjesë e grupit, disa prokurorë e gjyqtarë. Prokurori Ened Nakuçi, Doloreza Musabelliu dhe gjyqtarja e Posaçme, sot në Apel, Ilirjana Olldashi. Ata përfliten në këto komunikime nga Daupaj dhe Çela.
Në Prokurorinë dhe Gjykatë e Tiranës nga ana tjetër, Daupaj flet edhe për ata qe janë grupi i tyre, duke lënë të kuptohet që bashkëpunojnë. Elizabeta Imeraj, ish-kryeprokurorja e Tiranës, prokurori Erion Imeraj, gjyqtari që në bisedat mes tyre, të akuzuarit i referohen me emrin “Beso”, apo edhe Artan Gjermeni, përmenden gjithashtu siç i konsiderojnë ata, “pjesë e tyre”.
Nëse ata kanë shkelur ligjin apo jo, kjo i takon SPAK-ut, por fakt është që dosja e famshme “Toyota Auris”, që futi 3.4 milionë euro në Shqipëri, ka përfunduar me akuzën “mosdeklarim pasurie”.
Ndërsa refreni i vazhdueshëm në arsyetimin e SPAK, kur të akuzuarit përmendin emra gjyqtarësh e prokurorësh është: Këto biseda janë të përcjella në mënyrë të njëanshme dhe nuk konfirmohen me prova të tjera. Prandaj për vërtetësinë e tyre nevojiten veprime të mëtejshme hetimore.
Një veprim shtesë hetimor, minimalisht mund të ishte një sekuestrim telefoni, siç edhe ka ndodhur në rastet e tjera arrestimesh, qoftë në radhët e krimit të organizuar, qoftë në radhët e politikës. Ndoshta, ky veprim hetimor mund edhe të zbulonte diçka. Nuk e dimë ende nëse është bërë apo jo. Apo edhe nëse po kryhen ndërkohë hetime të mëtejshme siç pretendon SPAK. Fakt është vetëm që “Dosja Zarka”, tashmë prej datës 20 shkurt 2025 ka kaluar për gjykim. Se çfarë do të prodhojë ky proces mbetet për t’u parë. Megjithatë, e sigurt është që për të provuar pavarësinë e saj, Prokuroria e Posaçme, duhet ta kthejë hetimin edhe nga të vetët. Nga njerëzit e drejtësisë.