Ish-anëtari i Autoritetit të Informimit për Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, Simon Mirakaj propozoi që të hapen dosjet e ish-shërbimit sekret komunist vetëm për ata persona që duan të garojnë për funksione të larta publike.
Në një emision, Mirakaj u shpreh se është kundër deklasifikimit të të gjitha dosjeve për ish-spiunë, bashkëpunëtorë, drejtues të lartë Sigurimit të Shtetit, etj., duke kërkuar që të lejohet nga shteti një hapje e pjesshme për personat që do kandidojnë për deputetë, kryetarë bashkish, ministra dhe drejtues institucionesh.
“Unë nuk jam për hapje totale. Unë jam për hapje të atyre njerëzve që duan të marrin pjesë në politikë, të atyre njerëzve që duan të zgjidhen në funksione të larta, të jenë funksionarë shteti, njëkohësisht kur bëhet zgjedhje vendore për kryetar bashkie”, deklaroi fillimisht Mirakaj.
Më tej, ai arsyetoi se nuk e kërkon hapjen totale të dosjeve sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit, pasi shumë prej personave të përfshirë kanë vdekur ose ata që kanë mbetur gjallë janë detyruar me dhunë të bashkëpunojnë me organin shtetëror më të tmerrshëm të ish-diktaturës hoxhiste. “Të bëhet me detyrim.
Nuk jam dakord për t’i hapur në masë, sepse shumica e këtyre njerëzve që kanë bashkëpunuar me sigurimin kanë vdekur dhe një pjesë e tyre është bërë me dhunë”, përfundoi ish-anëtari i AIDSSH, Simon Mirakaj. Mazhoranca dhe opozita kanë dërguar draftet e tyre lidhur me hapjen e disa dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit lidhur me të gjithë politikanët dhe deputetët shqiptarë.