Arta Marku ka depozituar në Kuvend një strategji për luftën kundër korrupsionit dhe krimit në javët dhe muajt në vijim.
Dhe me këtë rast, të gjithë ata të cilët janë në dyshim për abuzim me pushtetin, akte korruptive, kriminale dhe trafiqe të ndryshme do të vihen nën përgjim dhe komunikimet elektronike.
Nën përgjim do të jenë rrjetet sociale dhe të gjitha aplikacionet elektronike që ky kontigjent krimi merr nga kompanitë celulare dhe google, youtube, facebook, twitter etj.
Përgjimi do të jetë pa kufizim, përderisa nën Vetting do të jetë sistemi i drejtësisë, policia por dhe politika, gjithnjë nën asistimin e prokurorit që ndjek një çështje të caktuar.
Në këtë kontekst, politika, sistemi i drejtësisë dhe policia do të jenë nën një monitorim të jashtëzakonshëm, për të arritur në këtë mënyrë pastrimin e shoqërisë shqiptare nga fenomenet që i kanë marrë frymën tërë këto vite.
Ndërkohë vetë Kryeprokurorja e përkohëshme Arta Marku paralajmëroi përdorimin më me efiçencë të përgjimeve të komunikimeve elektronike.
“Ka qenë një objektiv i vazhdueshëm i prokurorisë realizimi i veprimeve teknike të përgjimit nga oficerët e policisë gjyqësore nën drejtimin dhe kontrollin e prokurorit që heton, duke vlerësuar si një pikë të fortë në rritjen e eficencës së hetimit, mundësinë e ndjekjes në dinamikë të përgjimit dhe nga ana tjetër ngushtimin e rrethit të subjekteve që marrin informacion.
Ndryshimet ligjore të vitit 2017, i hapën rrugën këtij procesi dhe hapat e mëtejshëm synojnë: Krijimi dhe funksionimi i strukturave të posaçme dhe të specializuara për kryerjen e përgjimit të komunikimeve elektronike pranë prokurorive; Pajisja e strukturave të mësipërme me mjetet teknike të nevojshme dhe trajnimi për përdorimin; Zgjerimin e kapaciteteve për përgjimin aktiv”, parashikon strategjia.