Vëllezërit Armand dhe Agron Duka, vijojnë të çudisin këdo, ku me lidhje majtas dhe djathtas arrijnë të “mbijetojnë” në biznese. Duka është rreshtuar krah koalicionit të Sali Berishës dhe kërkon të luftojë tenderët e qeverisë Rama, ndërsa vëllai i tij Armandi, këto tendera i fiton.
Të dy me pozita të fuqishme, njëri deputet (Agroni) dhe tjetri President i Federatës Shqiptare të Futbollit (Armandi), kanë arritur që shumëfishojnë pasurinë, me ndere majtas apo edhe djathtas. Nëse mazhoranca aktuale i favorizon, opozita “mbyll sytë”.
Një prej rasteve që tërhoqi vëmendje ishte edhe vendimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila ia dha Armand Dukës dhe firmës AIBA ndërtimin e kullës “VOID Tower”, në truallin e ish-godinës së ATSH-së.
Projekti gjigant prej 87 mijë m2 pritet të kushtojë 110 milionë euro, ndërsa vlera e tregut në atë zonë e kthen këtë investim në një fitim të garantuar për kompaninë që kontrollohet nga Presidenti i FSHF-së.
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit të FSHZH-së me vlerë 1.7 milionë euro
Por, një tjetër projekt i bëhet ‘dhuratë’ Armand Dukës. Sipas dokumenteve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur ditët e fundit fituesin e tenderit me objekt “ndërhyrje në infrastrukturën turistike të aventurës, Zip line, ura të varura, Via ferrata, parqe aventure, etj”.
Fondi limit i gjithë procedurës ishte 168 milionë lekë, teksa kohëzgjatja është 18 muaj. Fitues të tenderit u shpall kompania CURRI me vlerë 146 milionë lekë, teksa kishte dhe oferta më të ulta si ajo e G.P.G me vlerë 139 milionë.
Por, çfarë do të bëhet me këto para?! Disa Zip Line do bëhen, si në Tropojë, Belsh, Berat, Durrës apo edhe në Divjakë. Do të vendosen disa Zip Line turistike në destinacione të ndryshme. Por, ajo që do të analizojmë në këto radhë është Zip Line në Durrës, më saktësisht në zonën e Lalzit. Jo në bregdet por në kodër!
Sipas dokumenteve, Zip Line në Lalëz do të bëhet në kodër, afër një liqeni. E gjithë prona është private. Në atë vend është biznesi privat “Kantina Duka”, pronë e vëllezërve Duka. Ata kanë një sipërfaqe të madhe vreshta, kanë pyje dhe kodra. Madje, zotërojnë edhe liqenin.
Në dokumentet e tenderit të FSHZH-së, projekti do të bëhet në pronën e tyre, ose më saktë ngjitur me restorantin dhe “Kantinën Duka”.
Në dokumentet e Agollit shkruhet se “Liqeni i Gjelbër, i ndodhur në zonën e Lalëzit, në jug të Shëngjinit në Shqipëri, është një liqen i vogël malor i rrethuar nga një peizazh i pasur natyror”. Sipas saj, ky liqen është i njohur për ujërat e tij të kristalta dhe për mjedisin e qetë, që e bën një destinacion të preferuar për vizitorët që kërkojnë pushim dhe relaks.
“Zona është e pasur me vegetacion dhe ka mundësi për ecje dhe aktivitete në natyrë. Infrastruktura përreth liqenit është e thjeshtë, por ajo ofron mundësi për turistët që të arrijnë dhe të shijojnë bukurinë natyrore të zonës. Rrugët që çojnë deri atje janë kryesisht të asfaltuara, por mund të ketë edhe pjesë më të ngushta dhe të pakujdesura, veçanërisht në zonat e largëta. Zona përreth liqenit është më e papopulluar dhe nuk ka shumë zhvillim urban, por ofron mundësi për ecje në natyrë dhe eksplorim. Nuk ka shumë shërbime të zhvilluara si hotele apo restorante në afërsi, por zona është ideale për ata që kërkojnë një përvojë më të thjeshtë dhe natyrore” thotë FSHZH.
Normalisht, atje s’ka shumë por një e mjafton; “Kantina Duka! Sipas projektit, Zip Line do të ketë një gjatësi totale prej 1450 metrash. Kjo distancë është e mjaftueshme për të siguruar një përvojë emocionuese dhe të paharrueshme për ata që do të përdorin instalacionin. Diferenca në kuota është prej 137m.