Partia Demokratike në një deklaratë për shtyp ka deklaruar se koncesioni i rrugës Milot-Fier është një nga vendimet më korruptive dhe që vjedh më shumë qytetarët shqiptarë.
Ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj thotë se 1.2 miliardë euro është një kosto e fryrë, deri në 6 fish më e lartë se bypass i Fierit. Sipas PD, kjo bëhet në mënyrë që tarifa e udhëtimit të jetë e lartë.
Ish deputeti i PD ngriti 5 pyetje për ministren Balluku:
1. Pse nuk është shpallur akoma tenderi dhe dokumentat e tij?
2. Si u përzgjodh projekti i Milot-Fier?
3. Kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion?
4. Si u përzgjodh konsulenti i rrugës 1.2 miliardë euro?
“Belinda Balluku duhet të bëjë transparencë dhe të mos fshihet pas fjalive me dy kuptime! Shqiptarët, të cilët ajo dhe Edi Rama duan i detyrojnë të paguajnë 17.4 euro për një rrugë që është e ndërtuar aktualisht në më shumë se gjysmën e saj, kanë të drejtë të njihen me çdo akt, që përkthehet në kosto marramendëse për ta.
Milot-Fier është një projekt që do të verifikohet me imtësi nga qeveria e ardhshme! Partia Demokratike është e vendosur të mos ngarkojë në kurrizin e shqiptarëve edhe një borxh tjetër, që sjell me vete një faturë të lartë dhe të pamerituar për çdo qytetar!”
Disa ditë më parë, edhe kryedemokrati Basha akuzoi qeverinë se ka dhënë koncesion 1.2 miliardë euro për një rrugë imagjinare Milot-Fier, pasi pjesa më madhe e kësaj rruge është ndërtuar nga PD.
“Kanë dhënë konçesion 1.2 miliard Euro për rrugën imagjinare Milot- Fier. Imagjinare sepse një pjesë e madhe e kësaj rruge është ndërtuar.
Është ndërtuar atëherë, kur tallej Edi Rama, kur thoshte “Rrugë, rrugë, rrugë…” dhe i binte Shqipërisë nga Tropoja në Sarandë brenda ditës dhe fliste sikur i binte mbi gomar dhe jo sikur ecte mbi rrugë, vetëm sepse atë e kishte ndërtuar Partia Demokratike, vetëm se e kishte ndërtuar kundërshtari politik”, tha Basha nga Divjaka.
Më 1 korrik është çelur gara për segmentin rrugor Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është shprehur se ky aks do të behët me pagesë, e megjithatë ka theksuar se për ata qytetarë që nuk duan të paguajnë do të kenë mundësi që të zgjedhin një rrugë dytësore, me standarte, me shpejtësi më të limituar, që do të ndërtohet nga vetë investitori, pa paguar. Ky aks pritet të kushtojë rreth 1.2 miliardë euro.