Për tre orë e gjysmë përpara organit të akuzës, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ka dhënë shpjegime lidhur me padinë që kreu i shtetit Ilir Meta depozitoi ndaj tij duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit.
Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës, duke mbajtur në duar një zarf me një kopje të kallëzimit penal dhe fletë-thirrjes për në Prokurori, Dvorani është ndalur të flasë për mediat lidhur me akuzat ndaj tij. Duke ironizuar deklaratat që kreu i shtetit ka bërë, se ka prova me video përvëluese (të cilat u konluduan dje me një video përmbledhëse të të gjithë akuzave publike), Dvorani tha se institucionet dhe funksionarët nuk duhet t’i shtrojnë problematikat e tyre me produkte artitike apo filma me metrazh të shkurtër apo të gjatë.
Ai ironizoi edhe deklaratën që kreu i shtetit bëri se prokuroria nuk duhet të ndikohet nga presionet politike, duke thënë se këshillat, rekomandimet dhe sugjerimet janë të pakuptimta dhe të papranueshme për një shtet të së drejtës.
Dvorani tha se është aty për të bërë detyrën para ligjit, pasi nuk ka nevojë për vëmendje, pasi si gjyqtar, nuk duhet t’i bjerë në sy elektoratit, ndërsa u shpreh se çdo shpjegim e ka dhënë para prokurorëve, pasi hetimi nuk mund të bëhet me deklarata publike, para mediave.
Ndërkohë brenda javës në Prokurorinë e Tiranës do të pyeten edhe 10 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (EMRAT). Një ditë më parë në Prokurori u paraqit edhe kreu i shtetit Ilir Meta i cili për rreth një orë dëshmoi mbi padinë e depozituar ndaj Dvoranit. Në dalje për mediat Meta tha se rasti në fjalë është tmerrësisht flagrant dhe prokuroria duhet të zbatojë ligjin për të mos u ndikuar nga presionet politike.
Presidenti Ilir Meta e ka akuzuar Dvoranin si ushtar të partisë, sulme që nisën gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti në bazë të listave me kandidatë të radhitur përmes një sistemi pikëzimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.