Nga Enver Robelli
Në një dokumentar të regjisorit Fatmir Lama, transmetuar vite më parë në KTV, zonja Nybyvet Drini tregon se përse u gëzua nëna e saj që po shkonte në Shqipëri gjatë sundimit të Ahmet Zogut:
“Më kujtohet, kur isha fëmijë, prindërit tanë u transferuan në Shqipëri, në kohën e Ahmet Zogut, dhe ai veçse e kishte nxjerrë ligjin për heqjen e ferexhes, sidomos për gratë e nëpunësve.
Babai im e pyeti nënën:
‘A po brengosesh që do të shkojmë në Shqipëri, me e lënë këtë familje këtu, nënën tënde?’
Ajo u përgjigj:
‘Jo.’
E dini pse? Sepse Ahmet Zogu kishte vendosur ligjin që të gjitha gratë e nëpunësve të mos mbanin ferexhe. Kështu që ajo ndiente njëfarë kënaqësie. Në atë moshë ajo e ndiente këtë kënaqësi, e lëre më rinia; lëre më të rinjtë e të rejat”.
Në po të njëjtin dokumentar citohet Baba Qazim Bakalli, babai i bektashinëve të Gjakovës, i cili tha:
“Jam shumë i kënaqur që sot ndodhem para dijetarëve të mbledhur për të vendosur mbi çështjen e gruas shqiptare, e cila ka mbetur e koklavitur.
Zbulimi i femrës nuk është aspak në kundërshtim me fenë islame. Ne myslimanët e Kosovës jemi si një filxhan ujë në det, përballë botës islame.
Gruaja me shkollë rrit fëmijë të shëndoshë dhe i pajis me dije e kulturë. Ajo rrit një popull të tërë…
Jam i mendimit që të vendosim menjëherë për zbulimin e femrës sonë dhe të mos mbetemi të përqeshur prej botës.”
Burimi: Rrëfime për Kosovën. Dokumentarë të prodhuar nga Fatmir Lama, botoi KOHA, 2022






