Nga Dibra, lideri demokrat Lulzim Basha ka sulmuar koalicionin “Shtëpia e Lirisë”. Ai u bëri thirrje demokratëve që të mos bien pre e sajesave dhe marifeteve, por të votojnë demokratët e vërtetë.
Nga Dibra, ku prezantoi kandidatin e Partisë Demokratike për këtë bashki Luan Haka, Basha kërkoi nga dibranët që të votonin birin e dibranëve për ta bërë qytetin një vend më të mirë dhe për t’u shërbyer njerëzve.
“Luan Haka është kandidati më i mirë për Dibrën. Ai është pjesë e Dibrës dhe jam krenar që është kandidat i Partisë Demokratike. Ai do të kujdeset për Dibrën, për dibranet. Luani do ta bëjë Dibrën një vend më të mirë për të gjithë pavarësisht se është i djathtë apo i majtë, për t’i shërbyer njerëzve dhe familjeve. Dibra do votojë Partinë Demokratike, sepse dibranët nuk bien pre e sajesave dhe marifeteve të reja”, tha Basha.
Ndër të tjera, ai u shpreh se vendi është i zhytur në varfëri. Basha theksoi, se PD do të luftojë për rikthimin e besimit tek qytetarët dibran.
“Ndaj, jam i bindur se në këtë dritë të të vërtetës që po përcëllon dhe djeg të gjitha gënjeshtrat dhe mashtrimet, nuk do ta ketë të lehtë edhe shkaktari i emigracionit të të rinjve dibranë, i varfërisë që është ulur këmbëkryq kudo, i atij që para 8 vitesh erdhi në pushtet të jashtëzakonshme, por sot është në histori si kryeministri i qeverisë më hajdute, më keqbërëse.
Politika nuk është e keqe në vetvete, të keqe e bëjnë njerëzit. Ata që i kanë hyrë në hak shqiptarëve. Të mirë po kështu e bëjnë njerëzit, ata që do të bëjnë që Haka të shkojë tek i zoti dhe ky është Luan Haka, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Dibrës, biri juaj i cili me përkushtim, me vendosmëri, me besimin tuaj, do të punojë ditë pas dite për rikthimin e besimit në çdo familje dhe votë dibrane. Do të luftojë për rikthimin e besimit tek të rinjtë dibranë”, tha ai.
Berisha sulmon Yuri Kim
Ndërkohë, nga Durrësi ku ftoi qytetarët për të votuar kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Ardian Mukën në zgjedhjet e 6 marsit, ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur edhe ambasadores së SHBA Yuri Kim.
Ai u shpreh se deklaratat e ambasadores shprehin tronditje. Berisha theksoi, se ajo po ndërhyn në procesin e brendshëm zgjedhor. “Edhe deklarata sot e ‘Guvernatores’ shprehte këtë tronditje.
Nuk i dalin kurrkund hesapet. Nuk i dalin hesapet kurrkund. Ajo bën sekretaren ideologjike të Partisë Socialiste. Po, në fakt e gjithë kjo përpjekje është e pashpresë. Si ‘Guvernatore’ i lejon vetes të ndërhyjë në proces të brendshëm elektoral dhe këtu ajo përfaqëson mafien e George Soros, shkelmon mbi parimet dhe ligjet e vendit të saj të lirë”, tha ai.
Ndër të tjera, Berisha tha se do të vazhdojë të votojmë të lire dhe të zgjedhim përfaqësuesit të lirë. Ai theksoi, se ata që nuk duan këto standarde është i lirë në rrugën e vet.
“Ne do ecim të vendosur të votojmë të lirë, të zgjedhim të lirë përfaqësuesit tanë, të zgjedhim të lirë brenda partisë ata që duam siç kemi zgjedhur Ardi Mukën, të zgjedhim të lirë qytetarët e parë dhe këshilltarët tanë. Ne do vazhdojmë me standardet e lirisë. Cilido që mërzitet nga këto standarde i themi rrugë e mbarë se ne nga liria, vlerat e saj nuk tërhiqemi kurrë”, tha ai.