Nga Drini Kuqo
Le ta themi që në fillim, në tryezë me Greqinë, Shqipëria dhe interesat e saj kanë më shumë se një shekull që dalin me kocka të thyera.
Asimilimi brutal i arvanitësve, 1913-ta famëkeqe, genocidi çam, pretendimet absurde për Epirin e Veriut, ligji i luftës dhe në kohën e demokracisë, “çeku i bardhë” për Athinën Zyrtare në të gjithë Shqipërinë e Jugut.
E përballë kësaj që Migjeni do e kishte quajtur “kafshatë të pakapërditshme”, natyrshëm Greqia sot ndjell një antipati të fortë popullore. Ndaj, çdo tentativë hapje, çdo përpjekje për t’u ulur në tavolinë me ta për të biseduar mosmarrëveshjet tona historike vishet menjëherë me këtë tis të fortë dyshimi.
Sikur të mos mjaftonte, përballë saj mbivendosen edhe dy mite që politika shqiptarë është në gjendje t’i koklavisë në mënyrë të pazgjidhshme.
E para, më e pandershmja, është miti i opozitës. Për ta, biseda me Greqinë është një provë se këta që janë sot në pushtet nuk janë më të mirë. “E shihni, edhe ata i tradhëtuan interesat kombëtarë…”. Fjalia mbaron me tre pika, që zëvendësojnë “ashtu si ne në 2009-n”. Asgjë për t’u çuditur, fushata negative njihet qartë në të gjithë librat e dialektikës politike. Një opozitë që nuk ka një mbështetje të fortë popullore natyrshëm përpiqet të vendosë shenjën e barazisë mes saj dhe qeverisë, për të treguar se këta nuk janë më të mirë se ne.
Miti i dytë. Është një mit i kultivuar vazhdimisht nga elementë të shoqërisë civile, e gjithashtu politikës. “Shqipëria po fal detin, që Greqia të mos vendosë veton mbi hapjen e bisedimeve tona për integrimin”. Kjo premisë sjell një artikulim të shtrembërt të sovranitetit kombëtar dhe nuk merr parasysh faktin se Bashkimi Europian është një organizëm ndërkombëtar, i cili nuk fokusohet në interesat e ngushta kombëtare të një prej anëtarëve të tij.
Greqia pa dyshim mund të vonojë integrimin tonë, pasi është e vërtëtë që ka të drejtë vetoje. Ama po aq e vërtetë është që çështja e detit është një çështje e ndarë, që nuk justifikon një veto të mundshme. Sllovenia dhe Kroacia, sa për të dhënë një shembull, janë edhe sot në Gjykatën Ndërkombëtare për ujrat e grykëderdhjes së Pirinit, por kjo nuk e pengoi Kroacinë t’i bashkohej Unionit në 2013-n. E fundit, le ta themi troç, vërtet mund të mendoni se Greqia, me gjithë problemet e saj të njohura nga të gjithë mund të vendosë veton, nëse Gjermania apo Franca, dy kreditorët e saj kryesorë, thonë që Shqipëria duhet të bëhet pjesë e BE-së?
E nëse biem dakord të çmontojmë mitet, ajo që mbetet është e vërteta. E nëse biem sërish dakord që askush prej nesh nuk gëzon monopolin e së vërtetës, e vetmja gjë që mbetet janë faktet.
E para, më e rëndësishmja, marrëveshja sjell shfuqizimin e ligjit të luftës. Dhjetëra mijëra çamë dhe pasardhësit e tyre, tanimë mund t’i drejtohen Gjykatave Greke pa asnjë pengesë. Është një proces që do të kërkojë kohën e tij, por në fund të tunelit, janë miliarda euro prona që potencialisht do t’u rikthehen pronarëve të tyre të ligjshëm.
Në lidhje me detin, fakt është se dy vendet tona ende sot nuk e dinë ku e kanë kufirin. Po e vërtetë, deri më sot ka ndodhur një demilitim mbi bazën e barazlargësisë, në përputhje me ligjet ndërkombëtare të detit, por kjo pengon të dyja palët të shfrytëzojnë plotësisht zonat e tyre detare. Ndaj një marrëveshje duhet. Por, ndryshe nga marrëveshja e 2009-s, kjo marrëveshje e re merr parasysh epërsinë e shelfit kontinental mbi ishujt, si dhe bashkangjitet me një marrëveshje për kufijtë tokësor, që Greqia nuk i njeh ligjërisht.
E kjo, do të bëjë që edhe ujrat bashkangjitur skajit tonë jugor, të kalojnë “de jure” nën sovranitetin tonë shtetëror.Ka edhe një detaj tjetër, varrezat greke. Në këtë vend ku kemi varreza gjermane, amerikane, italiane, angleze, franceze e shumë të tjera, dy varreza greke në Këlcyrë dhe Bularat shihen me frikë. Për disa, ata do i japin Greqisë një pretekst që do të varet si shpata e Arkimedit mbi kokën e shqiponjës sonë dykrenare.
Thënë këtë, të gjallët, për një arsye gati mistike, gjithmonë i frikësohen të vdekurve, e ky argument nuk është plotësisht i pabazë. Por, ndërhyrja apo jo e Greqisë në punët tona nuk varet nga varret… ajo varet nga sa e fortë është Shqipëria. Një vend rrumpallë, si ai i viteve 1990, kur shqiptarët trajtoheshin në kufi si bagëti do të jetë gjithmonë i nënshtruar, me apo pa varreza greke. Një vend që artikulon qartë interesat e veta kombëtare dhe e sheh në sy Greqinë si të barabartë, nuk do të nënshtrohet, me ose pa eshtra greke…
Marrëveshja duket se ka edhe disa pika të tjera. Pensionet për emigantët, më e rëndësishmja midis tyre.
Le t’i themi gjërat deri në fund. Shumë prej nesh ndihen ende të ngazëllyer nga video e Enver Hoxhës, që në 1973-n i drejtohej Greqisë duke thënë se “mëngjesin e hamë në Sarandë, e drekën në Athinë. Po të na provokoni ju kthejmë në kërma, e ashtu do t’i qërojmë mirë padrejtësitë historike”. Unë, jam njëri prej tyre…
“Por, jam gjithashtu i vetëdijshëm që kjo nuk është një rrugë zgjidhje. Një Kryeministër që del sot dhe flet me gjuhën e irrendizmit merr peng të ardhmen në emër të të shkuarës. Po, ne na duhet një marrëveshje! Po, përse atëherë nese eshte ne favorin tone, grekët po flasin me të madhe në mediat e tyre për përfitimet e saj.
Por, çfarë mund të bëjnë ndryshe? Të thonë haptazi se me Shqipërinë, pas 150 vitesh tashmë flasim si të barabartë. Të thonë që duam apo s’duam do të njohim të drejtat e çamëve apo të thonë që kjo marrëveshje e detit, është shumë më e keqe se ajo e 2009? A vallë mendon dikush që nëse do të thonin këtë, qeveria greke do të rrinte në këmbë edhe një ditë më shumë?!
Kjo është e vërteta. Pastaj, shumë do të vazhdojnë ta shohin ndryshe. Veçse këtë radhë, pas eshtrave nuk fshihet një “Kal Troje”. E nëse “Djalli” fshihet në detaje, këto detaje, për herë të parë, flasin një shqipe të kulluar, po aq sa ajo e atyre arvanitësve që mos t’ia themi atyre matanë kufirit (ishin ata që themeluan kombin grek).