Pamjet e djegieve të mbetjeve të ferrokromit, krejtësisht jashtë standardeve dhe që shkaktojnë ndotje masive të ajrit dhe ujërave nëntokësore të Elbasanit, janë xhiruar nga policia gjatë një operacioni për goditjen e 2 kompanive që sipas policisë ushtrojnë aktivitetin krejtësisht në kundërshtim me ligjin.
Djegia që bëhej kryesisht natën, në qiell të hapur, dhe brenda ambienteve të oborrit dhe kompanisë, kryhej prej të paktën 2 vitesh, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore jo vetëm pranë ish-Metalurgjikut ku ushtrohej aktiviteti, por me kilometra të tëra rreze.
Burime pranë Policisë së Elbasanit bëjnë me dije se sa herë është konstatuar tym i rëndë që dilte gjatë natës brenda kompanive “CCALB” Shpk dhe “GSA Ferrokrom” Shpk, policia ka tentuar të ndërhyjë, por nuk është hapur dera. Pasi për disa muaj janë mbledhur prova të mjaftueshme të aktivitetit shkatërrues të mjedisit, blutë ndërhynë gjatë orëve të natës, duke kapur në flagrancë punonjësit duke djegur mbetjet e rrezikshme.
16 persona u arrestuan në akuzë për ushtrim të aktivitetit të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit. Zyrtarisht policia njofton se mes tyre janë 9 të huaj dhe 7 të shqiptarë, në role drejtuese, teknikë dhe punonjës në të dy subjektet, mes të cilëve edhe administratori korean, Juncheol Chung, 64 vjeç. Po ashtu u arrestua edhe Ismail Dybeli, 60 vjeç, shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë e Elbasanit, në akuzë për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve.
Në kërkim u shpallën edhe 8 të tjerë, të cilët rezultojnë të jenë aksionarë të dy kompanive që helmuan Elbasanin për të paktën 2 vite me radhë. Ata janë në akuzë për 4 vepra penale, nga ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës, te fshehja e të ardhurave, punësimi i paligjshëm dhe pastrimi i parave, kryer në bashkëpunim.
Policia thotë se kanë shkelur ligjet mjedisore dhe ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, nuk kanë respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive. Në kushte normale, djegia e materialeve të tilla duhet të bëhet sipas standardeve për të mos krijuar ndotje, të cilat “CCALB” Shpk dhe “GSA Ferrokrom” Shpk nuk i plotësonin, pasi brenda ambienteve të punës nuk janë gjetur pajisje që shërbejnë për filtrim.
Për shkak të shkeljeve masive të konstatuara, policia vendosi 2 gjoba me vlerë totale 13 milionë lekë, përkatësisht 3 milionë për njërin dhe 10 të tjera për kompaninë tjetër. Me vendim të autoriteteve u pezullua aktiviteti i tyre deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
TË ARRESTUAR
-Juncheol Chung
-Ismail Dybeli
-Prakash Kadel
-Rahul Pal
–Styend Pal
–Munna Singh
–Rajesh Yadav
–Aaditiya Raj
-Rahul Pal
–Dheeraj Kumar
–Jakup Karaj
–Dorjan Xhufka
–Elton Bejkolli
–Besnik Abdiaj
–Elton Beqi
–Eglis Flaga
NË KËRKIM
–Agron Shapllo
–Serafin Orgocka
–Ilir Londo
–Ajet Kala
–Dritan Konica
–Fejzo Meçaj
–Bujar Zogu
–Gjergji Bezati






