Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të futur në listën e zezë Sali Berishën familjarisht dhe në rreth të kuq Ilir Metën dhe bandën e tij të korrupsionit, është vetëm një hap në betejën e amerikanëve për t’i dhënë fund kupolës mafioze politike të Tiranës, piramidës së krimit dhe korrupsionit elitar në Shqipëri, kulturës së pandëshkueshmërisë dhe tranzicionit politik.
Pas përfshirjes në listën e zezë për korrupsion madhor, pengim dhe kapje të drejtësisë, përdorimin e pushtetit për t’u pasuruar, shantazh dhe kërcënim ndaj përfaqësuesve të SHBA-BE në Tiranë, për pengmarrje të PD-së që ta përdorë si mburojë nga veprimi drejtësisë dhe si kërcënim për destabilitet, Sali Berishën dhe Ilir Metën i pret një proces i gjatë dhe dramatik penal.
Ashtu siç është operuar me rastin e Adriatik Llallës dhe Tom Doshit, edhe për Berishën dhe Metën, Departamenti Amerikan i Shtetit ka krijuar dy dosje voluminoze, bazuar në dokumente sekrete dhe publike, dëshmi, fakte, prova të ndryshme, përgjime etj., për korrupsionin dhe veprimtarinë e tyre kriminale shtrirë në tre dekada.
Për dosjen e tij, Ilir Meta është paralajmëruar nga ambasadorja amerikan Yuri Kim disa muaj më parë, kur ai sulmonte reformën në Drejtësi, duke e shpallur komplot të mafies ndërkombëtare kundër tij dhe Sali Berishës. Ambasadorja amerikane i tha Ilir Metës të mos bënte më zhurmë, pasi dosja e tij ishte e tmerrshme.
Kjo ishte edhe arsyeja, që Meta, i shtyrë nga Berisha, i shpalli zgjedhjet e 25 prillit një referendum kundër SHBA dhe Yuri Kim. Sfida e tij përfundoi me rrënimin e LSI, e cila nga 19 deputetë në 2017, arriti të merrte vetëm 4 deputetë, duke u zhbërë si faktor politik në Shqipëri.
Ilir Meta mësohet se është futur në listën e zezë krahas Sali Berishës, por vendimi nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk është shpallur, për shkak se Meta vijon të ushtrojë detyrën e Presidentit. Vendimi për të pritet të shpallet pasi të shkarkohet. I vetëdijshëm për këto zhvillime, Ilir Meta ka zbutur gjuhën ndaj Yuri Kim si dhe ka dërguar Monikën për të bërë foto dhe video në SHBA, për të krijuar idenë se familja e tij nuk është në listën e zezë.
Departamenti Amerikan i Shtetit pritet t’i dërgojë SPAK dy dosjet e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Në njoftimin për shpalljen non grata të Berishës dhe familjes së tij, DASH ka një mesazh të qartë për SPAK. Në njoftim, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë se “Me këtë përcaktim, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”.
Mesazhi është shumë i qartë: SPAK duhet të marrë nën hetim dhe të pandehur Sali Berishën dhe Ilir Metën. SPAK pritet të veprojë para muajit shtator të këtij viti. Një vendim i mundshëm i SPAK për të hapur procesin penal për Metën dhe Berishën, çon automatikisht në sekuestrimin e pasurive të tyre.
Meta dhe Berisha sipas ligjit janë subjekte të SPAK. Ndërkohë që SPAK, për çdo procedim për korrupsion dhe pasuri të krijuar me para të pista, zbaton ligjin anti-mafia. Në këtë mënyrë veproi edhe për Adriatik Llallën dhe gjyqtarët e nivelit të lartë. I vetëdijshëm për këtë fat, Ilir Meta ka nisur prej kohësh lëvizjet e dyshimta, për t’i paraprirë një arratisjeje të mundshme, për t’i shpëtuar fatit të Ivo Sanaderit, ish kryeministri i Kroacisë, i dënuar 3 herë për korrupsion.
Meta ka dërguar fillimisht fëmijët dhe një pjesë të pasurisë në Angli. Në Shqipëri, Monika ka shitur një pjesë të pasurive të paluajtshme, duke i kthyer në para ‘cash’. Nuk ka ende sinjale nga Berisha për arratisje, por fëmijët po lëvizin me shpejtësi në prapaskenë për të shpëtuar çfarë të munden./Pamfleti