Partia Socialiste e ka përqendruar mbledhjen e sotme të grupit parlamentar në investigimin e pak ditëve më parë të revistës amerikane “Mother Jones” lidhur me pagesën e lobimit që ka paguar Partia Demokratike për të siguruar takime dhe një foto me Presidentin Donald Trump.
“Ka shumë dyshime se si u financua protesta 3 mujore e opozitës për reformën në Drejtësi. PD vjet në pranverë lidhën 2 kontrata me Muzin që të siguronin takime të nivelit të lartë me administratën e Trump. Pagesat u bënë përmes 2 kontratat e PD-së dhe një kompani guackë Binniata dhe vlera totale shkon 675 mijë USD. Kontrata me Stonington është raportuar në SHBA që në mars, ndërsa me Binniata është mbajtur e fshehur për disa kohë dhe është raportuar ditën e fundit të detyrimit ligjor për të deklaruar”, tha Balla.
Sipas tij “si ka mundësi PD ka paguar 500 mijë USD dhe në çfarë rruge i ka paguar? Muzin ka njoftuar që ka marrë 675 mijë USD për punën e tij për PD-në, shumë më tepër se shuma 75 mijë USD që ka deklaruar PD për Muzin”.