Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas raportimeve nga takimi i Mynihut, ka vënë në dyshim marrëveshjet e nënshkruara sot me Serbinë.
Marrëveshjet janë ndërmjetësuar nga i dërguari i posaçëm i Donald Trump, Richard Grenell.
Por Kurti ka thënë se përfaqësuesit nga Kosova që i firmosën këto marrëveshje, nuk ishin të autorizuar ta bëjnë këtë, nga Qeveria që ai drejton.
Kurti e ka konfirmuar këtë gjë, me një reagim publik:
“Sot në Munich janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare.
Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit uvropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së.
Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare.
Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet”, shprehet Albin Kurti.
Marrëveshjet e nënshkruara këtë të premte me Serbinë
Në Munih u nënshkruan marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore dhe autostradën që lidhë të dyja vendet.
Marrëveshja u ndërmjetësua nga i dërguari i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i cili tha se me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është pajtuar se duhet përqendrim në zhvillimin ekonomik.
Më 27 janar, ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë, zhvilluan një takim në Berlin për të rihapur linjën hekurudhore ndërmjet tyre, me ndërmjetësimin ambasadorit Grenell, vetëm pak ditë pasi që palët nënshkruan një marrëveshje për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ky është një hap tjetër i përparimit pas marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd.
“Marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës, pra ajo çka ju duhet njerëzve tonë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti Thaçi, duke nënvizuar se “Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti po punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i të kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tanë”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “kjo është e rëndësishme për lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Jam i kënaqur që po shoh përparim dhe falënderoj Trumpin dhe Grenellin në emër të Serbisë, sepse të gjithë e ndjejmë se nga kjo do të kemi një të ardhme me të mire dhe do të sigurojmë paqen për dekadat e ardhshme”.
Ambasadori Grenell, ngulë këmbë se përmirësimi i lidhjeve ekonomike midis dy vendeve dhe hapja e vendeve të punës, do të ndihmojë tërë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën me heqjen e këtyre tarifave.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë heqjen e tarifave një kërkesë kjo që u ritheksua të enjten nga sekretari i Shtetit Mike Pompeo në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Qeveria e re është zotuar ta bëj një gjë të tillë, por duke kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë më Serbinë.