Pak ditë më ditë më parë, nëna e Fiori Dardhës u nda nga jeta pas një lufte të gjatë me kancerin.
Moderatorja e njohur ndau lajmin e trishtë me ndjekësit në rrjetet sociale, por disa prej tyre e kritikuan se ndërkohë që nëna e saj u nda nga jeta, ajo gjente kohën për të bërë statuse në rrjetet sociale.
Dhe për këto komente,Fiori Dardha ka vetëm një përgjigje: “Shpresoj që ju të keni bërë, ose të bëni për nënat tuaja, qoftë edhe çerekun e përpjekjeve që kam bërë unë për ta patur sa më gjatë pranë mamanë time!”, shkroi ajo në një postim në Instagram.
Ndërkohë moderatorja kujtoi fjalët e mamasë së saj kur ishte akoma në jetë.
Postimi i plotë:
Gjatë viteve që nëna ime luftonte me të mallkuarin kancer, herë pas here kam ndarë me ju foto, ndjesi, gëzimin kur fitonim një betejë dhe guximin për t’u përballur me një tjetër sfidë. Mbrëmjeve, i lexoja mamit komentet tuaja. Emocionohej, përlotej, motivohej dhe merrte kurajo nga fjalët tuaja!
Të njëjtën gjë kam bërë edhe këto ditë.
Kur miqtë largoheshin dhe shtëpia dukej më bosh se kurrë ndonjëherë, kam lexuar mesazhet tuaja. Jam përlotur dhe emocionuar pafund, por mbi të gjitha jam ndierë krenare për nënën time!
Ju falenderoj që më jeni gjendur pranë (qoftë edhe virtualisht)! Janë me mijëra komente dhe mesazhe që më kanë ngrohur shpirtin në këto ditë tepër të vështira!
Mami im më ka dhënë një nga leksionet më të rëndësishëm në jetë: të jem mirënjohëse!
Më thoshte përherë: “Kur të mos jem më, mos pyet Zotin ‘Pse?’, mos e mundo veten me ‘Po sikur…’
Mos qani me ulërima! Mos mallkoni! Mos mbani zi! Mos lejoni t’ju mposhtë trishtimi! Më kujtoni përherë duke qeshur!
Njeriu duhet të tregojë dinjitet edhe në dhimbje!”
Sot, me sytë nga qielli them:
“Faleminderit Zot për kohën që e patëm mes nesh Syshkruarën tonë!”
Dua të shpreh publikisht mirënjohjen time për të gjithë mjekët, infermierët dhe personelin spitalor që u kujdesen për kaq vite për shëndetin e mamit tim! E shtrenjta ime ishte një paciente shembullore që zbatonte me rigorozitet çdo këshillë të mjekëve. Edhe buzeqeshjen e fundit, ia dhuroi një mjeku, dr.Maksi Bashos, të cilit i jemi mirënjohës përjetë!
Këto ditë jam ndierë me fat që jam e rrethuar nga miq të mirë dhe mbi të gjitha, që Zoti (përveç motrës biologjike), më ka dhuruar edhe një motër tjetër (#MeTyeKamELONA) Përpiquni t’i bëni të lumtur prindërit sa kohë i keni pranë! Prindërit nuk kanë nevojë për para, por për kohën, vëmendjen dhe përkushtimin tonë!
P.S: Këto netë, qe gjumin ma ka vjedhur dhimbja, kam lexuar tek – tuk, edhe komente te tipit: “Nëna i ka nderruar jetë, kjo ka shkruar status?”
Për këto lloj gjallesash kam vetëm një përgjigje:
“Shpresoj që ju të keni bërë, ose të bëni për nënat tuaja, qoftë edhe çerekun e përpjekjeve që kam bërë unë për ta patur sa më gjatë pranë mamanë time!”