Ana dhe Maria, (emra të ndryshuar nga gazeta spanjolle ‘La Rioja’ për protagonistët e kësaj historie që kërkuan të mbeteshin anonimë), u takuan për herë të parë në 2002 në spitalin San Millán në Logroño, një qytet në Spanjën veriore.
Ana lindi e para, peshonte me pak se 2.5 kilogramë dhe stafi i maternitetit vendos ta transferojë menjëherë nga dhoma e lindjes në inkubator.
Pesë orë më vonë, një tjetër foshnjë Maria i bashkohet asaj, sepse edhe ajo lindi nën peshë.
Një takim i rastësishëm mes dy bebeve, por që do të vendosë fatin e dy vajzave kur të rriten.
Ana i dorëzohet nën kujdes prindërve të Marisë dhe anasjelltas.
Një shkëmbim vendesh, por edhe fatesh. Sepse jeta e njërës prej tyre Marisë nuk do të jetë e lehtë.
Një familje e paqëndrueshme dhe paaftësia e prindërve për t’u kujdesur për të do të bëjnë që një gjyqtar të emërojë gjyshen si kujdestare ligjore të fëmijës.
Në vitin 2017, Maria ishte 15 vjeç dhe, si shumë adoleshente, kishte shumë pyetje.
Babai i saj nuk pranoi të paguante detyrimet mujore për ushqim që i kish vendosur gjykata, madje supozoi se Maria nuk ishte vajza e tij biologjike.
Një justifikim, sipas gjyqtarit që e ndoqi çështjen në ato vite, që lehtë mund të vërtetohej me një test ADN -je.
Për habinë e të gjithëve, rezultatet konfirmuan se nuk kishte asnjë lidhje mes të dyve.
Menjëherë pas një ekzaminimi tjetër u bë e qartë se Maria nuk kishte asnjë lidhje gjenetike edhe me nënën e saj.
Këtu filloi edhe kërkimi i Marisë për të marrë përgjigje për pyetjen thelbësore që as nuk e mendonte se do ta bënte një ditë.
Avokati që merret me rastin, José Sáez-Morga, i tha gazetës spanjolle “El País” se vajza iu drejtua firmës ligjore me një kërkesë: “Më tregoni se kush jam”.
Hetimi, i nisur nga Inspektorati Shëndetësor i La Rioja, tregoi se fusha e të dyshuarve u ngushtua deri në pikën e dhënies së emrit të vajzës së vetme që ishte sjellë nga dhoma e lindjes në inkubator pranë Marias 16 vjet më parë, Anës.
Hulumtimi zbuloi incidente në të dhënat e kontrollit të peshës të të dyja vajzave gjatë dy ditëve të para të lindjes.
Sipas avokatit të Marisë, ndërrimi mund të kishte ndodhur në momentin kur vajzat silleshin nga inkubatorët tek nenat që qëndronin me krevate ngjitur, numër 6 dhe 7, para se të ushqeheshin me gji.
Vajza, tani 19 vjeçe, filloi kështu një betejë ligjore për tu dëmshpërblyer për jetën mizerabël që kishte bërë dhe kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë kompensim prej tre milionë eurosh për jetën që ajo ishte e detyruar të bënte.
“Një gabim njerëzor për të cilin nuk ishte e mundur të identifikohet personi përgjegjës,” tha këshilltarja rajonale për Shëndetin e La Rioja, Sara Alba, dhe se sot do të ishte e pamundur që të ndodhte përsëri duke pasur parasysh procedurat “e sigurta dhe të besueshme” që ndiqen.
Një gabim për të cilin ministria ka ofruar të paguajë 215 mijë euro, duke e lënë çështjen pezull derisa testi i ADN -së të konfirmojë marrëdhënien biologjike me prindërit e Anës.
Sipas El País, nuk ka asnjë denoncim apo gatishmëri nga ana e vajzës tjetër të ndërruar gabimisht Ana për të folur me Marinë.
Takimi i tyre i vetëm mbetet ai në dhomën e inkubatorit të atij spitali 19 vjet më parë, kur një gabim neglizhence u ndryshoi jetën përgjithmonë.