Udhëheqësi i një prej republikave separatiste pro-Moskës në Ukrainën lindore ka thënë se së shpejti mund të mbajë një referendum për bashkimin me Rusinë, duke ngritur spektrin e një aneksimi të ri nga presidenti Putin.
“Unë mendoj se në të ardhmen e afërt do të mbahet një referendum në territorin e republikës, në të cilin njerëzit do të realizojnë të drejtën e tyre absolute kushtetuese dhe do të shprehin mendimin e tyre për hyrjen në Federatën Ruse,” Leonid Pasechnik, lideri i Republika Popullore e Luhanskut (LHR), citohet të ketë thënë.
“Për disa arsye jam i sigurt se do të jetë pikërisht kështu,” shtoi ai, në citime të raportuara nga Tass, agjencia shtetërore ruse e lajmeve.
Nuk ka gjasa që Pasechnik të ketë bërë komente të tilla pa miratimin e Kremlinit.
Rusia njohu dy rajonet e shkëputura të Ukrainës lindore – LHR dhe Republikën Popullore të Donetsk – si shtete të pavarura më 21 shkurt, tre ditë përpara se të fillonte luftën e saj kundër Ukrainës .