Ilir Meta, me cilësinë e Presidentit të Republikës ka dërguar një ftesë për partitë politike që të takohen dhe të diskutojnë për datën e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Ndonëse ishte betuar se nuk do të pyesë asnjë kryetar partie për të caktuar datën e zgjedhjeve, por menjëherë pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR do t’i dekretojë, Meta është tërhequr.
Të premten do takojë krerët e PS dhe PD për të vendosur një datë më oportune për pranverën e ardhshme. Por nuk është tërheqja e parë kjo e Metës.
Në momentin kur Rama pranoi të mbështeste nismën e opozitës parlamentare për listat e hapura, të cilat automatikisht konkludonin në një listë të unifikuar kandidatësh dhe për koalicionet, kreu i shtetit e cilësoi përpjekjen e Ramës një akt banditesk, i cili mund të çonte deri në mosdekretimin e kryeministrit të ri të dalë nga zgjedhjet me këto ndryshime.
“Kushtetuta në nenin 96 njeh koalicionin e partive politike, kur sanksionon se presidenti në fillim të legjislaturës dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën në Kuvend.
Ndryshimet e propozuara nëse vazhdojnë dhe miratohen do të krijojnë përplasje të fortë me këtë dispozitë që i njeh kompetencën presidentit për emërimin e kryeministrit që ta pranojë nga partia apo koalicioni që ka marrë shumicën e vendeve pas procesit zgjedhor”, ka kërcënuar Meta vetëm disa ditë para miratimikt të këtyre ndryshimeve më 30 korrik.
Sipas tij në atë kohë, ndryshimet që po tentoheshinn që të bëheshin në Kushtetutë, kreu i shtetit i cilësoi anti-kushtetuese, pasi nisma është ndërmarrë në periudhën që vendi ishte në gjendje të jashtëzakonshme.
Ndërkohë pas miratimit të ndryshimeve në Parlament, Ilir Meta me atributin e kryetarit të shtetit e cilësoi bandë pengmarrëse të gjithë trupën parlamentare që votoi listat e hapura e koalicionet, bandë e cila do të merrte përgjigjen e merituar.
“Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm!
Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjësoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane.
Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti.
Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre.
Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë.
Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund!”, deklaroi Meta vetëm pak minuta pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese për listat e hapura dhe koalicionet më 30 korrik.
Dhe me sa duket “përgjigjen e merituar shqiptarisht” Meta e ka dhënë ditën e sotme, teksa zyrtarisht i ka pranuar këto ndryshime dhe ka thirrur krerët e dy partive më të mëdha politike për të vendosur datën e zgjedhjeve pikërisht bazuar në këto ndryshime dhe në Kodin Zgjedhor të përshtatur sipas listave të hapura dhe koalicioneve me lista unike kandidatësh.
Ndërkohë që Lulzim Basha ka qënë akoma më i ashpër në retorikën e tij kundërshtuese ndaj ndryshimeve kushtetuese për listat e hapura dhe koalicionet.
Ai ka deklaruar se nuk i njeh këto ndryshime, të bëra një parlament gjysmak dhe çirak i kryeministrit.
“Kuvendi gjysmak i Shqipërisë tregoi sërish, se nuk udhëhiqet nga interesat e qytetarëve, por është vetëm një çirak i interesave politikë të Edi Ramës. Interesi i qytetarëve sot u shkel me këmbë nga kryeministri në ikje dhe vartësit e tij. Qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura.
Listat janë të hapura vetëm nga fundi i tyre, sepse Edi Rama refuzoi propozimin tonë për të hapur listat 100% dhe për të mos prekur koalicionet.
Sot në kuvendin gjysmak, Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën me këmbë ligjet, shkelën Kushtetutën. Ata shkelën me këmbë historinë tonë. Ata shkelën me këmbë konsensusin, të cilin u detyruan ta firmosin”, deklaroi Basha më 30 korrik.
Në emër të opozitës së bashkuar, kryedemokrati paralajmëroi mosnjohjen e ndryshimeve të miratuara nga Parlamenti.
“Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për opozitën, dhe aq më pak për qytetarët”, deklaroi Basha në atë kohë.
Për habinë e të gjithëve ditën e sotme Basha, përkundër të gjitha pritshmërive pranoi menjëherë ftesën e Metës për të caktuar datën e zgjedhjeve. Ndonëse është folur gjithnjë se Basha ka qënë në unison me Ramën për ndryshimet Kushtetutës, për të hequr qafe “havalenë” LSI, sot kreu i PD ka pranuar zyrtarisht se është pro këtyre ndryshimeve.
Madje vetëm dy ditë më parë ka qënë kryetari i Këshillit Kombëtar të PD njëherësh dhe kreu i kosmisionit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputëtë, ish presidenti Bujar Nishani ai që ka deklaruar se do të dalë një listë prej 140 kandidatësh të PD për deputetë.
Në këtë mënyrë është përjashtuar nga koalicioni jo vetëm LSI e Ilir Metës por dhe aleatët traditcionalë të djathtë.
Ndërkohë që Meta dhe Basha përfundimisht kanë “ulur” kokën dhe kanë pranuar më në fund të gjitha ndryshimet kushtetuese të mazhorancës së drejtuar nga Rama dhe opozitës parlamentare.
“Piruetat” një mujore të tyre kanë qënë thjeshtë një “xhirim” bosh./M.Nikaj-TemA