Bashkëshortja e Fanës dha dorëheqjen nga Gjykata e Lartë për t’i shpëtuar Vetingut dhe për të mbrojtur pasuritë, pse duhet prangosur Neshat Fana dhe çfarë fshihet pas kërcënimeve të tij ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Si e shpërbleu Berisha duke e emëruar bashkë me gruan në krye të drejtësisë së korruptuar
Neshat Fana njihet si avokati i Sali Berishës për të gjitha llogaritë modeste që ka pasur deri më sot me drejtësinë. Natyrshëm, Neshat Fana është caktuar avokat i ish-drejtorit të PD të rrugëve, Andi Tomës, i arrestuar për vjedhjen e miliona eurove me rrugët. Andi Toma, së bashku me ish-shefin e tij, Lulzim Basha, është akuzuar edhe për vjedhjen e 250 milionë eurove me Rrugën Durrës Kukës.Neshat Fana, përveçse si avokat, ka marrë përsipër që të bëjë edhe detyrën politike të PD dhe Sali Berishës. Ai po përpiqet që të kërcënojë policët, prokurorët dhe gjyqtarët që futën në burg drejtorin e PD. Fana akuzon policët se e arrestuan drejtorin e PD në sytë e fëmijëve. Thotë se do të padisë penalisht prokuroren dhe gjyqtaren që e arrestuan Andi Tomën.
Akuzat dhe ndërhyrjet në punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, sipas ligjeve të reja të drejtësisë, përbëjnë vepër penale dhe dënohen me burg. Ligji për SPAK thotë se çdo ndikim tek prokurorët nga çdo subjekt publik apo privat, është i paligjshëm dhe ndëshkohet sipas ligjit. Kodi Penal parashikon deri në tre vite burg për këdo që ushtron influencë të papërshtatshme mbi prokurorët, duke përfshirë kërcënimet, presionet dhe shantazhet, siç po bën edhe avokati i Sali Berishës, për të shpëtuar ish-drejtorin e akuzuar për shpërdorim detyre.
Shpërthimi i Neshat Fanës lidhet me frikën e tij nga drejtësia, me hallin e madh për të justifikuar pasurinë e dyshimtë dhe me detyrimin që ka ndaj Sali Berishës. Sali Berisha e ka shpërblyer Fanën duke e emëruar fillimisht në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe më pas në krye të Shkollës së Magjistraturës. Fana u emëruar me dhunë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me urdhër të Sali Berishës dhe angazhimin e Bujar Nishanit dhe Gjin Gjonit. Emërimi u bë para largimit të Berishës nga pushteti, në vitin 2013. Mënyra e emërimit është një skandal më vetë. KLD dhe bordi i Shkollës së Magjistraturës shkarkuan Marjana Selimin dhe emëruan Fanën, duke i lënë në dorë organin që nxjerrë prokurorët dhe Fana u shkarkua më pas nga socialistët, në vitin 2014, të cilët ndryshuan ligjin për KLD dhe Shkollën e Magjistraturës. Avokati i Berishës bëri rezistencë të madhe bashkë me demokratët. Megjithatë, ai u shkarkua.
Vëllai i Neshat Fanës, Shkëlqim Fana është dënuar me 20 burg në SHBA për tentativë vrasjeje. Ai e ka kryer krimin në vitin 2000, ndërkohë që dënimi për të është dhënë në vitin 2002. Akuza ndaj tij ishte vrasje në tentativë e rrezikshme e shkallës së dytë. Megjithatë, kjo nuk e pengoi Berishën që ta emëronte Fanën në krye të Shkollës së Magjistraturës.
Sali Berisha ka shpërblyer Neshat Fanën edhe duke i emëruar bashkëshorten e tij, Mirela Fana, në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit ka dhënë kontributin e saj për mbylljen e shumë çështjeve, për interes të Sali Berishës dhe PD. Megjithatë, Mirela Fana nuk pati guximin që të përballej me Vetingun. Ajo përftoi nga ligji, duke dhënë dorëheqjen para se të niste Vetingu. Arsyet se pse një gjyqtar i frikësohet dhe shmang Vetingun kanë të bëjnë me pasuritë e paligjshme. Zonja tha se la Gjykatën e Lartë gjoja për të ushtruar profesionin e avokatit, por arsye reale ishte pasuria që nuk e justifikonte dot bashkë me bashkëshortin Neshat Fana. Me vetëm dy rroga, Neshati dhe Mirela u bënë çifti më i pasur në sistemin e drejtësisë. Pasuria e tyre do të jetë objekt i një artikulli tjetër. Ata i shpëtuan Vetingut, duke ikur nga organet e drejtësisë, por ata nuk do t’i shpëtojnë SPAK-ut dhe ligjit anti-mafia./Pamfleti.com