Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i ka dhënë dje një shuplakë ish-kryeministrit Sali Berisha.
Dje delegacioni i BE në Tiranë organizoi një aktivitet për ditën e Europës, ndërkohë që gazeta “SOT” ka mësuar se në këtë ceremoni ishin të ftuar deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, por ishte përjashtuar nga ata ish-kryeministri Sali Berisha.
Partia Demokratike përfaqësohej nga Alibeaj, Basha dhe Tabaku, ndërkohë që Partia Socialiste, nga Nikolla dhe Gjiknuri me Ballën. Berisha është shpallur “non-grata” në 19 maj 2021 nga Departamenti Amerikan i Shtetit për minimin e demokracisë dhe korrupsion sinjifikativ.
Dhe duket se edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian ka ndjekur metodën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadës së saj duke bojkotuar dhe shpallur “non grata” kandidatin e vetshpallur për kryetar të Partisë Demokratike. Mbështetësit e Berishës në media dhe jo vetëm patën deklaruar se Bashkimi Evropian e njeh ish-kryeministrin Sali Berisha si një faktor në Shqipëri dhe gjithashtu nuk do ta shpallnin atë “non grata”.
Mirëpo, duket se kjo gënjeshtër u është rrëzuar dje kur ish-kryeministri Sali Berisha është injoruar plotësisht nga delegacioni i Bashkimit Evropian. Emri i Sali Berishës është rrethuar dhe përjashtuar përfundimisht nga aktivitetet e këtij delegacioni.
Berisha “injorohet” nga amerikanët
Ndërkohë, kujtojmë se edhe gjatë vizitave të zyrtarëve amerikane në Tiranë ish-kryeministri Sali Berisha është “injoruar” duke mos zhvilluar asnjë takim me të.
Pak kohë më parë, ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo pati takime me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe me deputetë të opozitës.
Thellimi i partneritetit mes dy vendeve ishte në qendër të vizitës. Zonja Donfried nënvizoi qëndrimin e njohur se zyrtarët amerikanë nuk mund të takohen me persona të shpallur, siç është rasti i ish kryeministrit Sali Berisha.“Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur.
Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova sot me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë”, tha ajo.
Ndërkohë, më herët ka qenë ish-ambasadori Britanik në Tiranë, Duncan Norman, i cili paralajmëroi sanksione për zyrtarët shqiptarë të korruptuar. Ai deklaroi se synimi është të shkëputen lidhjet e krimit me politikën. “Ne po punojmë me autoritetet shqiptare, me median dhe shoqërinë civile.
Po ka disa ngjashmëri me atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në fakt ne kemi një qasje më ndryshe. Ajo që ne duam të bëjmë është të jemi sa më shumë bashkëpunues, dhe unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Ndoshta kemi edhe qëllime të ndryshme me atë që ka sistemi amerikan. Po ne kemi disa opsione për t’i përdorur, psh është ligji që ka lidhje me emigracionin, ekzistojnë procedura që i përjashton disa njerëz të futen në Mbretërinë e Bashkuar”, deklaroi ai.