Trajneri i kombëtares, Edi Reja, deklaroi se mbrojtësi kuqezi Elseid Hysaj e ka përjetuar keq gjithë rrëmujën e shkaktuar nga kënga “Bella Ciao” që ai këndoi.
Tekniku 75-vjeçar sqaroi për gazetën italiane “La Republica” se lojtari shqiptar nuk ka lidhje me politikën dhe se tensioni i krijuar e ka vënë në vështirësi, pasi ai sapo është bërë pjesë e Lazio-s.
“Banderola i shkaktoi dhimbje, po e përjeton këtë moment me mjaft vështirësi, sapo ka ardhur në një ekip të ri. Por i bëri mirë leximi i mesazheve mbështetëse, edhe në grumbillim mori shumë mbështetje.
Nuk e mendonte se mund të shkaktonte diçka të tillë. Veç të tjerash, nuk angazhohet me politikë.
Edhe në kombëtaren shqiptare, çdo lojtar i ri prezantohet duke kënduar një këngë shqiptare.
Elseidi më tha se ai e kishte dëgjuar këngën duke parë serialin ‘La Casa del Papel”.
Reagimet në mbrojtje të Hysajt në Itali kanë qenë të shumta pas banderolës së ultrasve fashistë që e quajtën atë krimb.
Edi Reja e njeh mirë ambientin bardhekaltër, pasi për pesë vite ka qenë trajneri i skuadrës.