Nga TemA
Është fakt se Shqipëria po përjeton një ndër ciklet më të rëndësishme të historisë së saj të zhvillimit turistik.
Mirëpo skena e molotovëve dhe përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë në qendër të Tiranës rrezikojnë të prodhojnë një efekt negativ në turizmin e këtij viti, për shkak se imazhet e pëpplasjeve qarkullojnë në kohë reale në mediat ndërkombëtare dhe në platformat sociale, duke ndikuar drejtpërdrejt perceptimin e turistit të huaj.
Sipas ekspertëve të fushës së turizmit, janari nuk është muaji që mat realisht potencialin e plotë të sektorit, pasi shumë linja ajrore nuk operojnë me kapacitet maksimal. Megjithatë, edhe në këto kushte, shifrat rezultojnë rreth 3% më të larta se një vit më parë, ndërkohë tregjet kryesore janë në ripozicionim dhe interesi për Shqipërinë ka hyrë në një fazë të re, sepse destinacionet historike, agroturizmi dhe Tirana si qytet me ofertë të plotë urbane janë bërë magnet për vizitorët.
Por ky trend është i brishtë, sepse turizmi është sektor që ushqehet nga stabiliteti, nga siguria e perceptuar dhe nga imazhi. Një vend mund të jetë realisht i qetë në 99% të territorit të tij, por mjafton një pamje e përqendruar dhune në kryeqytet për të krijuar një narrativë tjetër në sytë e publikut ndërkombëtar.
Në epokën e mediave globale, një molotov i hedhur në një protestë politike nuk mbetet brenda kufijve të një lajmi local, sepse ai transmetohet nga agjenci ndërkombëtare, shpërndahet në rrjete sociale, riciklohet në portale dhe televizione të huaja dhe për një turist potencial në Gjermani, Itali apo Skandinavi, imazhi i parë që shfaqet kur kërkon “Albania” mund të mos jetë më Riviera, Berati apo Alpet, por flakët dhe përplasjet me policinë.
Kjo është ajo që ekspertët e quajnë “efekti i perceptimit të rrezikut”. Edhe kur rreziku real është minimal dhe i kufizuar në një hapësirë të caktuar, perceptimi krijon një kosto të menjëhershme ekonomike: anulime rezervimesh, hezitim për prenotime të reja, rritje të primeve të sigurimit, kujdes më të madh nga operatorët turistikë ndërkombëtarë.
Shqipëria ka investuar vitet e fundit në ndërtimin e një imazhi si destinacion i sigurt dhe autentik. Rritja e flukseve turistike, zgjerimi i kapaciteteve akomoduese dhe zhvillimi i agroturizmit janë dëshmi e një sektori në konsolidim, ndërsa sektori privat po përballet me nevojën për të shtuar shtretër dhe për të përballuar kërkesën në rritje. Por ky investim kërkon parashikueshmëri dhe stabilitet.
Kur protestat që nisin si qytetare degradojnë në dhunë të organizuar, kostoja nuk është vetëm politike, por edhe ekonomike, sepse, mos të harrojmë se, turizmi në Shqipëri përbën një ndër sektorët më dinamikë të ekonomisë, me ndikim të drejtpërdrejtë në punësim, në të ardhurat e familjeve dhe në balancën e pagesave.
Ndaj çdo goditje ndaj tij përkthehet në më pak të ardhura për bizneset e vogla, për hotelet, restorantet, guidat turistike dhe fermerët që furnizojnë agroturizmin, në më pak të ardhura për familjet shqiptare.



