Në seancën e zhvilluar ditën e sotme në Gjyakatë e Tiranës është dhënë vendimi arrest me burg për efektivin që vrau 25-vjeçarin para disa ditësh.
Zbardhet dëshmia e Nevaldo Hadërajt, efektivit të Shqiponjave i cili vrau me armën e shërbimit 25-vjeçarin Klodian Rasha në Laprakë.
“Sillni familjen këtu, dua t’i kërkoj falje. Kam marrë një jetë njeriu, merrni çfarëdo lloj mase ndaj meje. Jam penduar”, është shprehur polici 31-vjeçar.
Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën e Tiranës, në kushte të rënda psikologjike, efektivi ka thënë se kjo që ka ndodhur do të dëshironte të mos i ndodhte askujt.
“Më kërcënoi se do të më vriste. Merrni çfarë mase të doni, kam vrarë një njeri. Kjo që më ndodhi mua të mos i ndodhë askujt. Gjithçka ndodhi për 4 minuta. Njoftova sallën, kërkova përforcime.”-mësohet të jetë shprehur ai.
Ngjarja e rëndë ndodhi tri ditë më parë në Laprakë, kur efektivi qëlloi dy herë me armën e shërbimit të riun, pasi nuk pranoi të ndalonte kur i bëri thirrje.
Klodian Rasha u qëllua në kokë dhe në shpinë sipas ekspertizës paraprake dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. SHÇBA e akuzon atë për vrasje në rrethanat e tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme.
Prej dy ditësh, protesta të shumta janë organizuar në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku nuk kanë munguar edhe përleshjet me Policinë.
Të enjten, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen nga posti. Por, në rrjetet sociale është paralajmëruar një tjetër protestë gjatë të premtes në mbrëmje.