Rrezikun që SPAK të shkojë në “vetëkënaqje” dhe të abuzojë me pushtetin e pavarësinë që i është dhënë, njësoj si kryeministri Edi Rama së fundmi, e ka evidentuar edhe Komisioni i Posaçëm antikorrupsion, apo i njohur ndryshe si “Xhafaj 2”.
“Kush e kontrollon kontrollorin? Një problem që kemi në gjithë këtë mekanizëm është se kemi një sërë strukturash investigative kontrolluese, por ku japin këto llogari, kush i kontrollon? Dhe si mund ta realizojmë ne këtë gjë Jam dakord me risitë që sillni, i keni dhënë me alternative dhe do t’i diskutojmë?”, tha Xhafaj në fjalën e tij mes të tjerash.
Ekspertët e kanë propozuar ngritjen e një komisioni të përhershëm parlamentar në Kuvend, që do të kryejë monitorimin e një sërë institucionesh e strukturash, përfshirë SPAK.
Komisioni, siç rekomandohet në draftin analitik të hartuar nga ekspertët e të miratuar nga anëtarët e “Antikorrupsionit”, do të vendosë sanksione në rast mospërmbushje të angazhimeve të marra nga institucionet.
Ardita Seknaj, eksperte në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion, tha:
“Kemi dhënë si propozim krijimin e një komisioni të përhershëm parlamentar për antikorrupsionin dhe integritetin, i cili do ketë jo vetëm rolin e monitorimit të zbatimit të reformës, por për të ushtruar edhe rolin e mbikëqyrësit dhe monitoruesit për institucionet çka do të ndihmonte koordinimin më mirë mes institucioneve të ndryshme që kanë funksion parandalimin e korrupsionit. Kemi parashikuar edhe krijimin e një ligji të posaçëm për parandalimin e korrupsionit që përfshin për herë të parë aty edhe sektorin privat”.
Shtimi i një tjetër komisioni të përhershëm parlamentar do të kërkonte ndryshimin e rregullores së kuvendit e cila nuk kërkon shumicë të cilësuar, e mund të miratohet lehtësisht edhe pa konsensus, me vetëm 71 vota.
Ledion Shahini, ekspert për pastrimin e parave, u shpreh:
“Në çdo masë jemi përpjekur që Kuvendi të ketë një rol specifik, edhe kur Kuvendi nuk është institucion i drejtpërdrejtë, përmes komisionit të përhershëm të ketë një rol të drejtpërdrejtë tek masat. Gjithë plani i veprimit është i lidhur me rolin që do ketë në këto masa”.
Një tjetër propozim është ai i ngritjes së një institucioni si autoritet i pavarur me kompetenca parandaluese, të hetimit administrativ dhe kontrollit të përputhshmërisë në mënyrë që të shmangë mbivendosjen e kompetencave ndërmjet institucioneve dhe strukturave që trajtojnë korrupsionin.