Një 31-vjeçar me një histori “të pasur” kriminale, por edhe “i falur” dy herë nga Gjykatat, është arrestuar sërish nga Policia e Tiranës. Së fundmi, ai akuzohet për vendosjen e një sasie eksplozivi në makinën e një biznesmeni inertesh në zonën e Liqenit të Thatë, që fatmirësisht, nuk pati të plagosur.
Sakaq sot zbardhen detaje lidhur me konfliktin mes të arrestuarit Klajdi Gjeci, i cili e ka mohuar të jetë autori i vendosjes së eksplozivit dhe biznesmenit Ndok Rajta.
Mësohet se Rajta ka punuar në magazinat në pronësi të të atit të Gjecit dhe konflikti nisi pasi u vu re se në magazina mungonin mallra me vlera të mëdha parash. Gjeci i kërkoi vazhdimisht Rajtës 20 mijë euro si dëmshpërblim.
Shpërthimi në makinë, për çështje borxhi
Një sasi e konsiderueshme eksplozivi, e aktivizuar në distancë, hodhi në erë makinën e një biznesmeni inertesh në Tiranë, më 30 nëntor të vitit të kaluar. Ngjarja ndodhi në orën 09:45, në afërsi të Liqenit të Thatë, kur mjeti në pronësi të biznesmenit 42-vjeçar, Ndok Rajta, një “Volksvagen”, me targa AA 946 EF, kishte vetëm 3 minuta që ishte parkuar.
Shpërthimi i fuqishëm shkatërroi tërësisht makinën, duke dëmtuar edhe xhamat e disa objekteve përreth, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Burimet thanë se nga veprimet e para hetimore, dyshohet se në makinë ka qenë e vendosur një sasi prej rreth 200- 300 gramë. Ndërsa aktivizimi i lëndës plasëse, që mendohet të ketë qenë tritol, është bërë nga distanca, me telekomandë. Burime nga Policia thanë se, nisur nga këto rrethana, dyshohet se autorët kanë ndjekur nga afër lëvizjet e biznesmenit Rajta.
Të njëjtat burime thanë se autorët nuk kanë pasur si qëllim vrasjen e Ndok Rajtës, pasi shpërthimi ka ndodhur 3 minuta pasi ai ka zbritur nga makina. Ngjarja, sipas Policisë, dyshohet se mund të jetë një paralajmërim për biznesmenin, për një çështje borxhi, mes tij dhe babait të Klajdi Gjeçit, tashmë të arrestuar.