Policia ka mbledhur prova të forta që mund të sjellin zbardhjen e vrasjes së ish-bankierit, Artan Santo.
Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj gjatë një interviste në “Euronews Albania” deklaroi se ka të dhëna të reja për vrasjen e bankierit, që thellojnë hetimin.
Ai ka rrëfyer të gjitha veprimet që janë ndërmarrë nga grupi hetimor. “Ne kemi indice të reja që thellojnë hetimin. Ne jemi duke analizuar me veprime hetimore konkrete, të gjithë rrugët e largimit të autorëve të veprës penale, pasi ne kemi tashmë të administruara shumë kamera sigurie, ku motori i autorëve të kësaj vepre penale ka lëvizur në qytetin e Tiranës ose në periferi të qytetit”, tha Vocaj.
Sipas kreut të Policisë Kriminale, provat e reja po hetohen nga agjenci të huaja ligjzbatuese dhe policia shpreson që me veprimet hetimore do të bëhet i mundur një individualizim më i mirë i autorësisë së këtyre ngjarjeve. Nga hetimet që janë kryer për vrasjen e bankierit Santo, sipas Vocajt është evidentuar se kjo vrasje është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.
“Nga analiza që është bërë nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit është evidentuar se kjo vrasje është kryer nga një strukturë kriminale. Veprimet e autorëve dhe mbështetjet që ata kanë pasur çon se kjo ngjarje është kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe kur një vrasje kryhet nga një grup i strukturuar kriminal sipas legjislacionit që kemi, për këtë heton SPAK”, shprehet ai. Ndër të tjera, ai tha se ne sot në Shqipëri nuk mund të flasim që kemi një sipërmarrës në organizimin e vrasësve me pagesë.
“Nuk mund të flasim sot në Shqipëri që kemi një sipërmarrës në organizimin e vrasësve me pagesë. Këto i përkasin më shumë legjendave, por në shumë raste Policia e Shtetit ka dokumentuar vrasje që janë kryer nga individë me pagesë. Kemi individë që kanë kryer vrasje me pagesë dhe po vuajnë dënimin dhe një prej tyre është Julian Sinanaj, i cili ka kryer disa vrasje me pagesë”, theksoi Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.
Vrasja e Santos
Atentati ndaj Artan Santos ishte tepër i organizuar. Nga të dhënat filmike doli se dy atentatorët e kishin ndjekur disa ditë rresht makinën e bankierit dhe më 26 qershor u finalizua vrasja. Policia e ndoqi motorin e atentatorëve, por ndjekja e motorit i çoi forcat e policisë deri në Fushë-Krujë.
Pak para hyrjes së qytetit, në një rrugë që degëzon me segmentin e drejtë që vjen nga Rinasi, mjeti me ngjyrë të zezë, bashkë me vrasësit veshur me të zeza, u zhduk. Policia krijoi bindjen jo vetëm se ata u fshehën në këtë zonë, por edhe se ishin banorë të saj pasi e njihnin mirë terrenin.
Në orët e zhurmshme që krijoi atentati i bankierit të njohur, u arrestuan dy banorë të Fushë- Krujës, Klodian e Saimir Gjozi, të cilët u liruan pak javë më pas për mungesë provash. Por hetimet e policisë dhe prokurorisë mbetën të përqendruara në këtë zonë. Më pas u shkua te dy emra të tjerë, si Durim Bami dhe Enver Stafuka, por që nuk pati rezultat për të provuar autorësinë.