Nga Ilir Yzeiri
Pamjet e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit me duart përpara në formën e faljes, ditën e varrimit të dëshmorit të fundit të Kosovës, Afrim Bunjaku, që të kujtonin procesionin e varrimit në një vend islamik ku feja përcakton edhe identitetin e ceremonialit, zëri i hoxhës që shoqëronte në banesën e fundit dëshmorin e Kosovës, në pamje të parë, duket sikur janë një gjë normale në arealin e atij vendi.
Entuziazmi që ka shpërthyer ndër shqiptarë, sidomos ndër ata që ndjekin Albin Kurtin, i ka kapërcyer përmasat e qëndrimit real dhe po i shton folklorit të luftës vargje të reja duke e bërë narrativën e këtyre ditëve më delirante dhe mitomanët profesionistë po gjejnë lëndën e munguar. Ndërkaq, një djalë i ri, ish-luftëtar i UÇK-së, Dritan Goxhaj, djali i ushtarakut të shquar, Dilaver Goxhaj, edhe ai drejtues i UÇK-së, mbahet në burg sepse bëri një deklaratë të sinqertë në një emision televiziv. Për të nuk flet askush. Ai nuk arrin të ndezë asnjë shkëndijë nga frymëzimi delirant e mitoman i këtyre ditëve.
Në Shqipëri ka filluar debati për censusin dhe edhe për këtë çështje nacionalistët dhe helenistët kanë zaptuar studiot televizive dhe japin orientime se si duhet të deklarohen shqiptarët : më shumë grekë apo më pak helenë. Kësaj narrative i shtohen edhe njoftimet e fundit që vijnë nga akademia e të marrëve se nëna e Krishtit ishte shqiptare. Po le t’i marrim gjërat me radhë. Ajo që ndodhi në veri të Kosovës është dëshmia e fortë se serbët nuk janë mësuar të lëshojnë territoret me dialog.
Filozofia e tyre frymëzohet nga ideologjia imperiale dhe fetare dhe prek gjithë ashtin e shoqërisë serbe. Pse duhet të mbajë zi për tre terroristët e vrarë tenisti serb me famë botërore Xhokoviç ? Kur ai poston në llogarite e tij personale në rrjetet sociale foto e materiale që i bëjnë jehonë terrorizmit serb, instancat e larta sportive nuk reagojnë. Nëse dy shqiptarë të famshëm si Xhaka e Shaqiri bëjnë me duar shenjën e shqiponjës atë etiketohen si nxitës të terrorizmit shqiptar dhe të Shqipërisë së madhe.
Edhe në një ndeshje në Greqi apo në Rumani shfaqen lirisht parullat teroriste si « Kosova është Serbi » dhe reagimi është përsëri i mefshtë. Provokimi me armë në Veri të Kosovës nga terrositët serbë ishte një klithmë e dëshpëruar dhe prej frikacakësh. Përgjigjja e strukturave të rendit dhe të mbrojtjes së Kosovës ishte shembullore. Por të mos harrojmë që e gjithë kjo dramë u luajt nën hijen e EULEX-it dhe KFOR-it. Këto dy organizma janë e duhet të jenë partnerët tanë për të fituar betejnë më të madhe në historinë e kombit shqiptar që është paqja dhe mëvetësia e Kosovës e njohur nga Serbia. Fati i shqiptarëve është se nuk janë vetëm, por kanë në krah një partner të madh siç janë SHBA-të dhe BE-ja.
Në narrativën që u prodhua pas kësaj ngjarjeje tragjike u vunë re tri nivele. Niveli i parë, ai i qeverisë së Kosovës që ishte përgjithësisht korrekt dhe nëse përjashtojmë deklaratat nervozë të Gërvallës, gjithçka tjetër ishte normale. Niveli i dytë ishte ligjërimi i Edi Ramës në rolin e Kryeministrit të Shqipërisë. Edi Rama e ruajti profilin perëdnimor dhe pragmatik. Ai tregoi se nuk ka komplekse ndaj askujt dhe se përpjekjet e tij për të ndërtuar një Ballkan në paqe nuk kanë nënkuptuar kurrë një anësi për askënd.
Vuçiç është një nxënës i dobët para Ramës. Ai e provoi njëherë kur Rama ia tha në sy në Beograd që duhet të njihni pavarësinë e Kosovës. Fatkeqësi për të që mund ta ketë marrë për dobësi qasjen e Ramës dhe përpjeket e tij për ta afruar Vuçiçin me zgjidhjet paqësore të problemeve në Ballkan. Ngjarjet e fundit treguan se Edi Rama është lideri më i besueshëm për kancelaritë perëndimore në Ballkan.
Pas reagimit të tij, që Shqipëria nuk linjëzohet me deklaratat e Këshillit të Europës për qëndrimin ndaj asaj që ndodhi në Veri të Kosovës, edhe BE-ja edhe Këshilli i Europës e korrektuan përgjigjen dhe qëndrimin e tyre. Natyrisht të gjithë e dimë që urat e komunikimit mes Ramës e Kurtit janë si ato urat e varura të telit që shënojnë vetëm vendet ku janë kapur kavot e trasnmetimit por nuk shërbejnë për të qarkulluar informacion. Dhe niveli i tretë është reagimi i BE-së dhe SHBA-ve.
Ka një dallim mes tyre. SHBA-të janë më të drejtpërdrejta dhe më të qarta. BE-ja nuk është dhe nuk mund të jetë sepse ne harrojmë që në BE bëjnë pjesë edhe ato shtete stadiumet e të cilave mbushen me parullat antishqiptare. BE-ja e ka të vështirë të pranojë një realitet shqiptar që identifikohet me anën e drejtë të historisë dhe të dënojë Serbinë apo Greqinë që tradicionalisht e kanë ndërtuar politikën e tyre duke u mbështetur te ekspansioni fetar e territorial.
Europianët e pranojnë lehtësisht që Greqia ka të drejtë të bëjë marrëzira e të sjellë në Shqipëri lloj-lloj karagjozësh që bëjnë protesta për Belerin apo që të dëgjojë vajtimet e Vuçiçit që ankohet për krimet e shqiptarëve, sepse ata e kanë ndërtuar nacionalizmin e tyre ekspansionist si mënyrë e ekzistencës dhe të gjitha luftërat për të marrë territoret e të tjerëve i kanë paraqitur si një e drejtë që u vjen nga e shkuara, nga koha kur është ngjizur lavdia e tyre antike. Ne, shqiptarët, në rrymë të shekujve që pas vdekjes së Skënderbeut u thërmuam dhe u copëtuam dhe e shpërbëmë lavdinë tonë antike.
Shqiptarët më vitalë dhe më të zotë nxitonin në Stamboll dhe konvertoheshin në osmanë e bëheshin vezirë dhe luftonin për të mbrothësuar Perandorinë Osmane. Është një histori e gjatë dhe nuk mund të jetë objekt për këtë shkrim, por të mos harrojmë se vetëm pas vitit 1912 ne nisëm të mbledhin eshtrat e atdheut tonë si ai gjenerali i Kadaresë dhe kur të tjerët na kishin tjetërsuar territore e kulturën, kishat dhe vendet e shenjta, ne po hapnim sytë. Edhe atëherë ishin amerikanët që na shpëtuan nga copëtimi dhe Lenini që denoncoi traktatin e fshehtë të copëtimit. Por ne sot tallemi me letrën e Bajram Currit për Leninin. Pavarësisht të gjitha këtyreve, shqiptarët ruajtën gjuhën dhe identitetin e tyre, e përsëris shqiptarët jo elitat e tyre.
Falë këtij shpirti konservues ne kemi sot dy shtete shqiptarësh në Ballkan dhe komunitete shqiptarësh etnikë në Mal të Zi e Maqedoni. Mirëpo nuk duhet të harrojmë se gjithë kjo bashkësi shqiptarësh nuk ka një perëndi të vetme kombëtare. Një pjesë e madhe edhe sot ndjehen myslimanë dhe nuk identifikohen me historinë dhe traditën e Skënderbeut. Një pjesë tjetër ndjehen helenë dhe këtë e demonstrojnë hapur. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ? Identiteti kombëtar nuk mësohet dhe as nuk injektohet me dhunë. Të gjithë janë të lirë të ndjehen dhe të identifikohen me cilin të duan.
Fakt është një gjë : shqiptarët, kështu të thërmuar e duke shitur identitetin në një pjesë të caktuar të tyre, erdhën deri këtu, sepse brenda pjesës më të madhe të tyre ka qenë e ruajtur ajo përkatësi që u ngjiz sidomos në motin e Gergjit të Madh. Askush nuk e kishte menduar që në shekullin e XXI shqiptarët do të ishin këta që janë sot. Ajo që harrojmë dhe që na kushton pastaj është se kjo botë që është e ndarë me aleanca historike ne, për fat të mirë, na ka hedhur në krah të SHBA-vë. Këtë është mirë ta mbajmë mend dhe jo duart e Albinit e të Vjosës që lexojë suretet e Kuranit në varrimin e dëshmorit të Kosovës, Afrim Bunjaku.