Turqia nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kërkesat për ekstradimin e gylenistëve nga Shqipëria. Pas grushtit të shtetit në Turqi, presidenti Rexhep Tahip Erdogan nisi një fushatë ndaj të gjithë mbështetësve të Fetullah Gulen, pasi e akuzon atë si përgjegjës të trazirave në Turqi. Dje erdhi në Tiranë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, i cili ka mbajtur edhe një konferencë të përbashkët me homologun e tij Gent Cakaj.
Ministri turk e bëri të qartë rrezikun që i vjen Shqipërisë nga gylenistët e strehuar në vendin tonë. Ai dha ultimatum që të largohen sa më shpejt përndryshe do të jenë në rrezik investimet turke në Shqipëri. Kujtojmë se edhe më herët Turqia ka dorëzuar një listë me emra zyrtarësh turk, të cilët janë pjesë e gylenistëve në vendin tonë. Ministri nuk foli me shifra se sa pjesëtarë të kësaj organizate janë strehuar në Shqipëri, por sipas Cavusoglu, strehimi i tyre përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë. “Turqia është investitori më i madh në Shqipëri. Shumë firma tona kanë bërë investime të rëndësishme në Shqipëri. Organizata FETO nuk është një organizatë terroriste vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera. Duhet ta dimë mirë sepse FETO në disa vende është një organizatë që kontrollohet nga shërbimet sekrete. Në takime tona që kemi bërë edhe me kryeministrin Edi Rama edhe me ministrin Gent Cakaj, ne kemi diskutuar mbi organizatën FETO dhe ndikim e saj në Shqipëri.
I kemi shpjeguar edhe rrezikun që ato paraqesin. Nuk kam shifra të sakta, por ka me qindra që presim të kthehen. Ne nuk dëshirojmë që Shqipëria të jetë një portë sigurie për FETO-n. Ne mendojmë që prania e FETO-s është një rrezik dhe kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë, e falënderojmë çfarë ka bërë, por e dimë që nuk është e lehtë. Vizita ime është një vizitë përgatitore, për vizitën e presidentit tonë”, tha Cavusoglu. Më tej ai tha dhe se negociatat duhet të hapen sa më shpejt për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Financimet turke në Shqipëri
Gjatë fjalës së tij, ministri turk la të kuptohej se mund të kufizojë investimet turke në Shqipëri, në rast se vendi ynë nuk pranon që të zbatojë ultimatumin e Turqisë, që ka të bëjë me largimin e gylenistëve, të cilët presidenti Erdogan, i cilëson si organizatë terroriste. Turqia është një vend që ka bërë investime të shumta në vendin tonë dhe asesi Shqipërisë nuk do i interesonte ndërprerja e këtyre investimeve. Vitin që kaloi, ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk deklaroi se volumi tregtar mes Turqisë dhe Shqipërisë shkon në 520 milionë dollarë për vitin 2019, me një rritje prej 60 milionë dollarë krahasuar me 2017. Mes të tjerash ambasadori theksoi asokohe se investimet turke në Shqipëri shkonin në 3 miliardë dollarë, por tha se ka ende potencial në sektorë të ndryshëm. Duke parë këtë panoramë të përgjithshme të investimeve turke në Shqipëri, qeverisë shqiptare nuk do i interesonte këmbëngulja në këtë rast.
Reagon Cakaj
Në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ministri Cakaj bëri me dije se janë nënshkruar tre marrëveshje të rëndësishme, mes tyre edhe njohja e ndërsjellët e patentave. “Kemi nënshkruar 3 dokumente, memorandumi i mirëkuptimit për shkëmbim të diplomatëve, mundësi për shkëmbim të përvojave. Së dyti edhe deklarata e përbashkët me qëllim luftën kundër terrorizmit dhe së treti për njohjen e ndërsjellët të patentave”, tha Cakaj. /Sot/ARBJONA ÇIBUKU