Ditën e hënë në Tiranë do të vijë presidenti turk “Recep Tayyip Erdo?an”. Fillimisht lajmi doli nga qeveria shqiptare, por pa dhënë detaje mbi detajet e saj, teksa u tha se do të vijë për të inauguruar disa nga banesat e rindërtuara nga tërmeti.
Ende nuk ka një axhendë të qartë të vizitës së tij, ndërkohë që mediat turke ditë e fundit kanë shkruar disa artikuj. Interesant është fakti se Erdogan vizitën e parë për këtë vit e nis në vendin tonë, ndërkohë që është folur se raportet mes tij dhe kryeministrit janë ftohur pak. Por sipas medieve turke, përveç marrëdhënieve dypalëshe një fokus të veçantë do të ketë padyshim çështja e gylenistëve.
Turqia ka nisur një aksion të gjerë për të mbyllur çdo institucion të sponsorizuar nga Fetulla Gylen dhe po ashtu ka kërkuar dëbimin e turqve që mbështesin atë. Tirana e ka refuzuar dhe sipas portalit “Internethaber”, kjo çështje do jetë në fokus të takimit Rama-Erdogan.
“Një nga temat e rëndësishme të vizitës pritet të jenë aktivitetet e FETO-s në vend dhe lufta kundër tij. “Ne jemi dakord me ministrat shqiptarë se organizata terroriste FETO përbën një kërcënim për të dy vendet. Nuk do të lejojmë që FETO të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, ka thënë më herët Erdogan”, raporton portali.
Por pak më gjatë ka shkruar portali “Balkan Günlü?ü”, i cili ka thënë se në fokus do jenë gylenistit, por dhe çështjet ushtarake. Sipas tij, do të diskutohet për universitete dhe shkollat që financon FETO. “Në takim pritet të flitet mbi fatin e universitetit Epoka dhe të shumë institucioneve të tjera arsimore të financuara nga FETO, aktivitetet e të cilave janë dobësuar pjesërisht, por vazhdojnë ende aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Gjithashtu, në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, Presidenti i Republikës mund të vizitojë spitalin e miqësisë së Fierit, i cili u ndërtua nga Turqia dhe u vu në shërbim vitin e kaluar, do vizitojë rezidencat në qytetin e Laçit të ndërtuara nga Turqia për shqiptarët. Si dhe ën fund do të vizitojë xhaminë e madhe të ndërtuar nga Turqia”, shkruan portali.
Qëndrimet turke
Lidhur me aktivitete në Shqipëri të gylenistëve ka publikuar një shkrim edhe portali “Yeniaki”, me autor analistin Ayhan Demir. Sipas këtij shkrimi, organizata FETO ka shumë ndikim në Shqipëri. “Në lidhje me strukturimin e organizatës FETO në Shqipëri kemi shkruar më shumë se sa dhjetë shkrime. Shteti ynë i ka ofruar autoriteteve në Shqipëri çdo lloj informacioni dhe dokumenti në lidhje me këtë çështje.
Sa e sa herë u shprehën paralajmërime. Ja që nuk ndodhi asnjë zhvillim në drejtimin e pritur dhe në kuadrin e dëshiruar. Struktura e FETO-s në Shqipëri, e cila strehon edhe disa emra që janë përfshirë në tentativën për rrëzimin e shtetit, sa vjen e forcohet.
Shqipëria, çdo ditë e më shumë, vjen në formën e “një baze të sigurt” për të arratisurit e organizatës FETO. Si është e mundur kjo? Qeveria shqiptare iu ka dhënë pasaportë qindra të arratisurve të ndërlidhur me FETO-n. Nuk ndërmerr asnjë ndërhyrje në lidhje me veprimet e jashtëligjshme në shkollat e organizatës FETO”, thuhet në shkrim. Sipas autorit,
Fondacioni Arsimor Sema dhe Gülistan janë ende në gjendje aktive në Shqipëri. Më tej theksohet se veprat e kreut të organizatës FETO vijojnë të prezantohen nëpër panaire. Në artikull janë nxjerrë dhe emrat e disa personave që përfitojnë nga financat e Gylen.
“‘Imami i Shqipërisë” në organizatën FETO, Kloidan Allajbeu, është diplomuar në Universitetin e Ankarasë në vitin 2006. Në të njëjtin vit themeloi Spitalin Amerikan në Tiranë. Sot, numri i filialeve të këtij spitali në kryeqytet kanë arritur në tre. Ka nga një filial në Durrës dhe në Fier, e po ashtu dy filiale në Kosovë. Lidhur me këtë spital gjenden dhjetra laboratore analizash.
Nuk mbaron me kaq. Klodian Allajbeu është dhe pronari i Spitalit Grek që ofron veprimtari në Shqipëri, Spitali Hygeia. Përveç kësaj vijon përgatitjet për themelimin e fakultetit të mjekësisë në Universitetin Epoka, universitet ky që gjendet nën kontrollin e FETO-s. Lartësimi i pandalshëm i Kloidan Allajbeut, i cili mban kontakte të ngushta me numrin dy të organizatës FETO, Mustafa Özcan, pa dyshim që nuk është i kufizuar me kaq”, thuhet më tej.