Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me një padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës dhe prokurorit Ols Dado, duke kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror.
Në padinë e depozituar, Veliaj pretendon se emërimi i Ols Dados në vitin 2008 është bërë në kundërshtim të hapur me ligjin në fuqi në atë kohë, pasi, sipas tij, Dado nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, kriter i detyrueshëm ligjor për ushtrimin e funksionit të prokurorit. Kryebashkiaku argumenton se Dado ka kaluar drejtpërdrejt nga statusi i noterit në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet e parashikuara nga legjislacioni.
Sipas padisë, ky emërim i konsideruar i paligjshëm ka prodhuar pasoja të rënda institucionale dhe administrative, duke ndikuar jo vetëm në veprimtarinë e Bashkisë së Tiranës, por edhe në funksionimin e institucioneve të shtetit. Veliaj thekson se veprimet e ndërmarra nga Ols Dado në ushtrimin e detyrës së tij si prokuror kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në çështje që lidhen me administrimin vendor dhe interesin publik.






