Rreth dy muaj pasi u përfshi në vorbullën e rrjeteve sociale duke shpërndarë në profilin e tij në Instagram një “meme” që ironizonte deputetin Agron Gjekmarkaj, kolegu i tij demokrat, Xhelal Mziu është paraqitur krah tij në një takim elektoral të Partisë Demokratike.
Pas protestës së 23 dhjetorit, ku Agron Gjekmarkaj humbi ndjenjat dhe përfundoi në spital, Mziu shpërndau postimin ku thuhej se kolegu i tij është “pa shtyllë kurrizore”.
“Është me fat që është gjallë Doktor! Kur marrim parasysh që s’ka shtyllë kurrizore!”, thuhej në postimin me foton e Gjekmarkaj në spital, e ku vizitohej nga kryedemokrati Sali Berisha, të cilën Mziu e ndau në profilin e tij.
Sakaq, takimi elektoral ku Mziu dhe Gjekmarkaj kanë marrë pjesë është realizuar në Caserta të Italisë më 3 shkurt.
Ky takim është zhvilluar në kuadër të turit të deputetëve të PD para zgjedhjeve të 11 Majit, ku janë duke takuar përfaqësues të diasporës shqiptare.