Referuar të dhënave në faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, përgjatë përiudhës Janar-Tetor të këtij viti kanë udhëtuar me linja ajrore rreth 9.3 milionë pasagjerë, me një rritje vjetore prej 54%. Vetëm në Tetor numërohen rreth 936 mijë, me një rritje prej 48%. Këto shifra mbështesin faktin se turizmi në Shqipëri ka përjetuar një rritje të vazhdueshme muaj pas muaji.
Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, mund të themi se në çdo muaj të këtij viti kanë udhëtuar në linja ajrore mesatarisht rreth 925 mijë pasagjerë.
Por çfarë të dhënat për numrin e fluturimeve?
“Scan Intel” ka marrë në analizë të dhënat e EUROSTAT për të parë se si varion rritja e numrit të fluturimeve në vendin tonë, rajon dhe Europë.
Numrat flasin për rreth 58 mijë fluturime komerciale përgjatë dhjetë muajve të vitit aktual në vendin tonë. Shifrat e “Agjencisë Europiane të Statistikave” mbi numrin e fluturimeve komerciale sipas vendeve të Europës tregojnë se Shqipëria është e dyta që ka shënuar rritjen më të lartë të këtij treguesi për dhjetëmujorin, krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat bëjnë me dije se numri i flututrimeve në vendin tonë është rritur me rreth 46.6%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2023. Shqipëria, bashkë me Islandën, kryeson me rritjen më të madhe, ndërkohë që numri i fluturimeve në Bashkimin Europian është rritur me 6%, krahasuar me vitin 2023.
Vende të rajonit po ashtu raportojnë rritje të numrit të fluturimeve, por pa mundur të tejkalojnë Shqipërinë. Sipas shifrave, rritja në Malin e Zi vlerësohet me 15.6%, në Bosnje Hercegovinë me 9.2%, në Maqedoninë e Veriut me 10.6% dhe në Serbi me 9.1%.