Zjarret më të rënda në 11 vjet në Greqi shkaktuan tmerr dhe kaos në jugperëndim të vendit, por shkaqet e tyre mbeten ende të panjohura pasi kushtet e motit krijuan kombinimin fatal të nxehtësisë dhe bimësisë së thatë që nxitën përhapjen e tyre.
Erërat prej rreth 70 km në orë kontribuan në përhapjen e tyre në brigjet lindore të Greqisë edhe pse viktimat atje ishin të pakta. Ende nuk është e qartë sipërfaqja e saktë e shkrumbuar nga zjarret ndërsa autoritete thonë se janë shumë rajone si Mati, dhe rrethinat e Athinës si Rafina, Kineta e Penteli.
Ato paralajmëruan banorët dhe turistët të mos u afrohen territoreve deri në vënien e zjarreve nën kontroll. Ndërkohë vendet fqinje të Greqisë janë mobilizuar në ndihmë të grupeve të emergjencave teksa avionë me zjarrfikës ishin nisur dje nga Qipro, Spanja, Italia, Izraeli e Turqia.
“Evropa është pranë miqve tanë grekë në këto momente të vështira dhe nuk do të kursejë ndihmën. Në fakt ndihmat janë nisur nga disa vende të unionit”, tha kreu i Këshillit Evropian Donald Tusk.
Spitalet në gjendje emergjence
Spitalet e Athinës janë vënë në gjendje emergjence, ndërkohë që ambulancat vazhdonin të dërgonin të plagosur dhe trupa të viktimave. Zëdhënësi i qeverisë deklaroi se po bëhet e pa mundura për vënien e situatës nën kontroll dhe evidentimin sa më të saktë të numrit të viktimave.
Më herët, roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar më tepër se 700 persona nga plazhet e zonës së Rafinës, ndërkohë që ende mbetet pa sqaruar numri i personave që tentuan t’iu shpëtojnë flakëve duke hyrë në ujë. Gjatë orëve të natës në zonën Artemidhas u gjetën 4 persona të mbytur, ndërsa dëshmitarë okulare thanë se në ujë janë hedhur dhjetëra persona, fati i të cilëve është i pa ditur./Sot