Vetëm pak ditë më parë, me emrin dhe firmën e tij, Lulzim Basha ka firmosur një kontratë të re lobimi me “Sonoran Policy Group”, e drejtuar nga Robin Townley, një ish-funksionar i lartë aktualisht nën hetim nga FBI për lidhjet e tij me Rusinë.
Kontrata e re, me vlerë prej 40 mijë dollarësh është depozituar në datën 12 qershor në Departamentin e Drejtësisë, duke u bërë publike në faqen zyrtare të FARA (Foreign Agents Registry Act), një portal ku publikohen të gjithë interesat dhe klientët e kompanive amerikane të lobimit.
Ajo që bie në sy është që aktualisht, “Sonoran” drejtohet nga Robin Townley, zëvëndësi i Micheal Flynn, gjatë kohës së tij si këshilltar i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare.
Flynn u detyrua të jepte dorëheqjen pak javë pas marrjes së detyrës, pasi mediat amerikane provuan se ai kishte mbajtur disa takime të dyshimta dhe të padeklaruara me ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kislyak, në prag të fushatës elektorale.
Aktualisht, Flynn dhe Toënley janë nën hetim nga FBI, pasi ekzistojnë dyshimeve të forta për favorizimin e ndikimit rus në zgjedhjet presidenciale.
Pak kohë më parë, portali prestigjioz “Politico” bëri me dije se CIA refuzoi një kërkesë të Townley, për t’u pajisur me një informacion “top sekret” në dispozicion të agjensisë, për shkak të dyshimeve rreth integritetit të tij.
Lexo më shumë
–https://www.politico.com/story/2017/02/mike-flynn-nsa-aide-trump-234923
Në kohën kur Toënley paraqiti këtë kërkesë, ai ishte drejtor për Afrikën, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Nga sa lexohet në kontratën e nënshkruar me PD, zyrtarisht “Sonoran” është pajtuar për të ndihmuar demokratët që të hartojë një strategji kundër narkotikëve dhe kundër krimit të organizuar në vend, si dhe të lehtësojë aksesin e tyre në Kongresin Amerikan.
Megjithatë, ashtu si në rastin e kontratave të mëparshme me “Muzin Capitol” dhe “Stonington Strategies”, përshkrimi i punës mbetet tejet i vagullt dhe dyshime të qënësishme çojnë në përfundimin se kjo kompani e re fshihet pas një numri artikujsh të sponsorizuar nga PD gjatë muajve të fundit.
Këto artikuj kanë pasur si qëllim që të dëmtojnë imazhin e vendit në prag të marrjes së vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke përhapur informacione të bazuara në të dhëna të rreme, mbi problematikën e narkotikëve në vendin tonë.
Vetëm një vit më parë, Partia Demokratike shpenzoi pothuajse një milionë dollarë, për të pajtuar disa lobistë amerikanë, midis të cilëve “Muzin Capitol Partners” dhe “Stonington Strategies”.
Prejardhja e këtyre parave nuk është shpjeguar kurrë nga Partia Demokratike, por formularët e depozituar në “FARA” provojnë se një pjesë e shumës është paguar prej “Biniatta Trade”, një kompani në pronësi të një oligarku rus, me lidhje të afërta me Kremlinin.
Emra të shumëpërfolur si eksponentë të krimit të organizuar rus dhe persona të afërt të presidentit Putin, si oligarku Oleg Deripaska apo lobisti i diskretituar, Paul Manafort, mësohet se janë të implikuar në këtë histori.
Manafort u arrestua në tetor të vitit 2017 dhe është aktualisht nën gjykim për lidhjet e tij me Rusinë, ndërsa Deripaska kërkohet prej drejtësisë amerikane.
Nick Muzin, pronari i “Capitol Partners”, një prej lobistëve kryesorë me të cilët punoi Basha gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, është gjithashtu nën hetim.
Ndonëse Partia Demokratike nuk është e vetmja forcë politike shqiptare e cila pajton lobues në Uashington, mbetet i pashpjegueshëm fakti që në çdo rast, kontratat e saj lidhen me persona të dyshuar nga drejtësia si agjentë rusë në SHBA./Lexo.al
Investigimi i plotë i “Mother Jones”, rreth lidhjes së PD me rusët www.motherjones.com/politics/2018/03/how-a-russian-linked-shell-company-hired-an-ex-trump-aide-to-boost-albanias-right-wing-party-in-dc/