Teksa figura e Lulzim Bashës është veshur tashmë me hije dyshimi sa i takon veprimtarisë së tij kundër UÇK-së pas luftës në Kosovë, ish-kryeministri Sali Berisha tha një ditë më parë se marrëdhënien e tij me UÇK kanë qenë të shkëlqyera dhe se ka pasur raporte miqësore me Hashim Thaçin, drejtuesin politik të ushtrisë. Por, Shqiptarja.com sjell sot qëndrime ekskluzive, dëshmi dhe një pjesë të fushatës së Sali Berishës kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtuesve të saj, sidomos ndaj Hashim Thaçit, pikërisht gjatë ditëve dhe javëve dramatike, ku UÇK po luftonte me ushtrinë e Millosheviçit.
Fushata e sulmeve, gjatë periudhës janar-maj 1999, konfirmon se Sali Berisha ka qenë një nga kundërshtarët më të vendosur të UÇK-së, në kuadër të planit të tij për diktuar pushtetin në duart e Ibrahim Rugovës dhe të kryeministrit të vetëshpallur në ekzil, Bujar Bukoshi.
Qëndrimi dhe raporti i vërtetë i Sali Berishës me UÇK-në reflektohet në Gazetën ‘Rilindja Demokratike’, organ zyrtar i Partisë Demokratike dhe praktikisht zëri i Berishës. Herë duke dalë vetë në skenë personalisht dhe herë përmes të besuarave të tij, Berisha e konsideronte UÇK-në bandë komuniste dhe marksiste, njësi guerile që kopjonte Che Guevar-ën në Kubë, i akuzonte për vjedhje fondesh, për financim nga Osama Bin Laden dhe si lojë e njerëzve të Millosheviçit dhe UDB-së. Berisha nuk e njihte qeverinë e krijuar drejtuesit e UÇK-së gjatë luftës, por vetëm Presidentin Rugova dhe qeverinë e Bukoshit në arrati.
Në 4 prill 1999. Genc Pollo dhe Arjan Starova sulmojnë në gazetën ‘RD’, Hashim Thaçin, drejtuesin politik të UÇK, teksa në Kosovë zhvilloheshin beteja të përgjakshme. Dy ditë më vonë, në 6 prill 1999, Edi Paloka shkruan në ‘RD’ se krijimi i qeverisë ‘Thaçi’ “po i shkakton çështjes kombëtare jo më pak dëme se sa po i shkakton Millosheviçi… UÇK është ushtri e Kosovës dhe jo e ushtarëve të kuq”. Pas këtyre sulmeve fshihej Berisha, i cili kishte sulmuar edhe marrëveshjen e Rambujesë, pikërisht për shkak të prezencës të drejtuesve të UÇK si palë negociatore që përfaqësonte Kosovën.
Në 8 prill 1999, në gazetën që kontrollohej nga Berisha, qeveria e formuar nga drejtuesit e UÇK konsiderohej një bandë e sajuar nga njerëzit e Milloshviçit në Tiranë. “Qeveria e fantazmave të Kosovës, krijuar në një pej zyrave të qeverisë në Tiranë, prej disa ditësh po tund flamujt e një marrëveshje politike. Mirëpo asnjë prej ‘ofiqarëve’ të Kosovës nuk ka publikuar tekstin dhe thelbin e asaj marrëveshje që qenka arritur në Rambuje. Njerëz të njohur të Beogradit në Tiranë si Neritan Ceka, Sabri Godo, Fatos Klosi, Spartak Braho etj., i kushtuan të njëtën rëndësi qeverisë fantazmë të Kosovës paralelisht me linçimin e Preisidentit Rugova… Sidromi i qeverisë së bandave u shfaq në momentin me të keq për Kosovën”, thuhet në artikull.
Po në 8 prill 1999, Sali Berisha akuzon qeverinë socialiste në Shqipëri, krerët dhe UÇK dhe Beogradin për sulme ndaj Rugovës. Në 11 prill 1999, kryeartikulli i gazetës ‘RD’ i konsideron njerëzit e UÇK si marksistë. Në artikull, thuhet se nderimi me grusht i komunistëve është simbol i qeverisë së Hashim Thaçit. Sipas gazetës së Berishës, UÇK arrestonte ata që nuk nderonin me grusht, ndërsa akuzohej ish-kreun e SHISH, Fatos Klosi, se po mbështeste Thaçin.
Teksa Millosheviçi po kapitullonte dhe roli i UÇK ishte i padiskutueshëm, Berisha intensifikon sulmet, duke akuzuar drejtuesit e UÇK-së për vjedhje fondesh dhe për financime të dyshimta. Berisha vijonte të mos njihte qeverinë e Hashim Thaçit, duke e konsideruar si një bandë e diktuar nga të besuarit e Beogradit në Tiranë.
Në 18 maj 1999, Berisha jep një intervistë, e cila është siguruar ekskluzivisht nga Shqiptarja.com dhe Report Tv. Berisha pyetet për një përcaktim që i kishte bërë më parë UÇK-së në gazetën ‘The Time’, duke e quajtur “një grumbullim të bandave rivale të paafta, të pajisura keq dhe të stërvitura”. Duke zbutur qëndrimin Berisha thotë se këtë intervistë së ka denoncuar pajisjet e dobëta që autoritetet shqiptare u japin luftëtarëve të UÇK-së.
“Tendencat për të vendosur komisarë është e gabuar. Ka mungesë ushtarakësh dhe oficerësh. Nuk kam pasur një koncept të tillë. Ka pasur të tjerë që në televizione të huaja janë shprehur në këë mënyrë”, thotë Berisha.
Por, gazetarja e pyet Berishën se nga kjo deklaratë ka ardhur edhe reagimi i UÇK-së. Megjithatë, Berisha thotë se nuk impresionohet nga ky reagim. Berisha thotë se mbi 80 e luftëtarëve të UÇK-së janë sipas tij ish-anëtarë të LDK, partisë së Rugovës. Me këtë qëndrim konfirmon se Berisha e mbështet UÇK-në pasi përbëhet nga anëtar të KLD. Në fakt, asnjëra nuk është e vërtetë. UÇK-ja nuk përbëhej nga anëtarë të LDK dhe Berisha e kishte quajtur UÇK-në më parë bandë komuniste, siç rezulton në artikujt e ‘RD’-së.
“Unë kam marrëdhënie shumë të mira. Pastaj unë di një gjë tjetër. Mbi 80 % e luftëtarëve të lirisë janë ish-anëtarë Lidhjes Demokratike të Kosovës. Janë aktivistë. Janë nacionalistë”, thotë Berisha.
Gjatë intervistës, Berisha pranon se nuk e ka njohur qeverinë ‘Thaçi’, duke konfirmuar në këtë mënyrë sulmet e tij në ‘RD’. “Mund të ketë një zemërthyerje sepse unë nuk e kam njohur qeverinë Thaçi. Por, nuk e ka njohur askush në botë qeverinë Thaçi. Dhe kjo nuk do të thotë se unë nuk njoh ata si përfaqësues të UÇK-së. Dhe Enver Hoxha desh të krijonte në Berat qeverinë pa procedurë në ’45. Por, i thanë këshilltarët jo, nëse e bën kështu, do kesh pasoja. Që të gjithë nuk bëjnë fjalë për qeverinë ‘Thaçi’, përveç ndonjë gazetari”.
Berisha thotë se UÇK-ja ka bërë lisa të vdekjes. “E vërteta është se për turpin e atyre që i kanë bërë këto lista, Fehmi Agani rezulton në listat e vdekjes UÇK-së, të botuara, që nuk përfaqësojnë fare UÇK-në, por që përfaqësojnë një linjë antikombëtare. Këtë e kanë shfrytëzuar serbët për të bërë akuzën”, është shprehur Berisha. Fehmi Agani ka qenë profesion, politikan dhe veprimtar i shquar, i cili u vra nga forcat e Millosheviçit. (shqiptarja.com)
Sulmet e Berishës dhe njerëzve të tij kundër krerëve të UÇK në gazetën ‘Rilindja Demokratike’ në 4 dhe 8 prill 1999