Tension mes Mediut dhe Berishës pas hapjes së dosjes së Gërdecit nga SPAK. Ish ministri kërcënoi ish kryeministrin se do të fliste për krimin masiv nëse nuk e shpëtonte nga burgu. Berisha i ofron opsionin e arratisjes si Adriatik Llalla
Shtohen telashet për Sali Berishën në këtë prag dimri. Pas goditjes që mori nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përjashtimit që i bëri Lulzim Basha nga partia, Sali Berisha tashmë është në hall edhe me Fatmir Mediun, ish ministrin e tij që e urdhëroi për të bërë letrat e biznesit në Gërdec.
Gjykata Speciale e Apelit ka pranuar kërkesën e SPAK për të marrë të pandehur Fatmir Mediun, për të thelluar hetimet për Gërdecin dhe për ta nxjerrë ish ministrin e Mbrojtjes para drejtësisë, pasi ka 12 vite që i shmanget përballjes me ligjin me procedura, manovra, imunitete, afate etj.
Për 12 vite me radhë, Fatmir Mediu ishte i qetë dhe nuk e hapi gojën për të folur për të vërtetën e Gërdecit pasi Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme, që kishin në dorë ndëshkimin e Mediut, kontrolloheshin nga Sali Berisha, arkitekt dhe urdhërues i Gërdecit.
Tashmë Gjykatën e Lartë të Berishës, bashkë me Adriatik Llallën, i ka përlarë përroi i Vetingut, madje Adriatik Llalla është në kërkim pasi është dënuar me 2 vite burg për korrupsion, ndërsa ish anëtarët e Gjykatës së Lartë janë të gjithë nën hetim për afera. Për herë të parë Fatmir Mediu nuk po gjen një prokuror apo gjyqtar të Berishës në drejtësi për të shpëtuar. Mediu pritet të merret këto ditë i pandehur dhe të dërgohet para Gjykatës Speciale. Ai shumë shpejt mund të përfundojë në burg ose i arratisur si Adriatik Llalla.
Në këto rrethana, Fatmir Mediu ka nisur të kërcënojë Sali Berishën, që të gjejë një mundësi për ta shpëtuar, ndryshe ai do të flasë për rolin e Berishës dhe Shkëlzenit në Gërdec. Pas Kosta Trebickës, i cili i kërkoi Berishës në vitin 2008 së do të fliste për Shkëlzenin pasi e nxorën nga loja nga biznesi i paketimit të fishekëve në Gërdec, kjo është hera e dytë që Sali Berisha ndihet i kërcënuar, këtë herë nga ish ministri i tij i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Ndërsa Berisha është fokusuar tek Foltorja për të rrëzuar Bashën dhe për të marrë drejtimin e PD-së, Fatmir Mediu, disa ditë më parë i dha një mesazh Berishës, duke i treguar se kërcënimin e ka seriozisht. Për herë të parë 13 vite pas shpërthimit të Gërdecit, Fatmir Mediu deklaroi se kishte folur në telefon me Shkëlzen Berishën menjëherë pas shpërthimit.
Kaq është dashur që Sali Berisha të alarmohet, pasi nëse vërtetë Fatmir Mediu flet dhe kthehet në i penduar i SPAK për Gërdecin, ai mund të fundosë Berishën bashkë me familjen. Në kushtet kur Berisha nuk ka më forcë për t’i mbyllur dosjen siç bëri për vite me radhë me gjyqtarët e tij të korruptuar në Gjykatën e Lartë, Mediu mësohet se i është ofruar si mundësi arratisja nga Shqipëria si Adriatik Llalla. Një ofertë e tillë Fatmir Mediu e ka refuzuar në mënyrë të prerë. Sipas burimeve raportet mes Berishës dhe Mediut janë të tensionuara dhe mund të marrin një rrjedhë të paparashikuar./Pamfleti