Zgjatja e afateve të vetingut ka përplasur mazhorancën dhe opozitën. Ditën e djeshme në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, opozita bojkotoi mbledhjen për zgjatjen e afateve të vetingut.
Por, pavarësisht mungesës së opozitës, mazhoranca ka vijuar me mbledhjen. Kështu u vendos që mazhoranca t’i drejtohet Komisionit të Venecias për opinion lidhur me propozimet që kanë bërë ata vetë për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut.
Ishin deputetët e PS-së, Klotilda Bushka dhe Fatmir Xhafaj, të cilët i drejtuan pyetjet përkatëse ekspertëve të zgjedhur konstitucionalistë Aurela Anastasi dhe Erind Merkuri, duke u lënë afat për kthimin e përgjigjeve datën 23 nëntor.
Qëndrimet e Xhafajt
Gjatë votimit, Xhafaj abstenoi për të kërkuar mendim në Venecia, teksa u shpreh se u qëndron deklaratave të bëra në mbledhjen e parë të këshillit. Deputeti socialist duket se e ka bërë të qartë se është kundër nismës së ndërmarrë nga PS dhe po ashtu ka dalë kundër kryeministrit, i cili të enjten u shpreh se ky proces duhet të shkojë përpara.
“Vijoj t’i përkas bindjes se i gjithë ky proces që kemi ndërtuar përmes këtij kalendari intensiv duhet të na çojë në një analizë të plotë shteruese të procesit të vetingut në këta 5 vjet, si domosdoshmëri nga njëra anë për të argumentuar drejtësinë e procesit në tërësi dhe nismës për zgjatjen e afatit në veçanti. Dhe për të ndihmuar debatin lidhur me akuzat që i bëhen projektit dhe procesit në tërësi nga kundërshtarët e tij. Besoj fort, se nëse arrijmë të krijojmë një kuadër të plotë të ecurisë së procesit do mund të shkojmë edhe në zgjidhjen e duhur në përfundim të vendimmarrjes kushtetuese”, tha Xhafaj.
Ndër të tjera, ai ngriti disa pyetje. Xhafaj u shpreh, se këto mund të ndihmojnë ekspertizën ndërkombëtare.“Kam përgatitur një tërësi pyetjesh që unë besoj mund të ndihmojmë ekspertizën e thirrur nga ky komision, por edhe ekspertizën ndërkombëtare. Si paraqitet situata konkrete lidhur me veprimtarinë e KPK? Pse nuk u përmbushën objektivat brenda këtij afati? Si mund të ndihmojmë brenda këtij afati? Çështja e tretë lidhet me avantazhet dhe disavantazhet e vazhdimësisë së punës së KPK”, tha ai.
Debatet PD-PS
Ndërkohë edhe më herët, në mbledhjen e kaluar të Këshillit të Legjislacionit, ku u diskutua për zgjatjen e afateve të vetingut, pati sërish përplasje mes PD dhe PS. Partia Demokratike kërkoi që mbledhja duhet të shtyhet pasi kjo çështje duhet të diskutohet së bashku me propozimin e demokratëve për ndryshime kushtetuese, por nga ana e tyre socialistët që kanë kërkuar zgjatjet të afatit të KPK deri më 31 dhjetor 2024, thonë se kjo çështje nuk pret diskutimet e tjera pasi nuk ka kohë duke qenë se qershori i vitit të ardhshëm mbyll mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkallës së parë të vetingut. Pasi nuk morën mbështetjen e socialistëve për këtë PD braktisi mbledhjen.