Një numër është shpallur “fjala e vitit”! Sipas Dictionary.com, “67” është përzgjedhur si fjala që përfaqëson më së miri frymën e vitit 2025, duke reflektuar mënyrën sesi komunikimi i brezit të ri në internet po ndryshon gjuhën tradicionale.
Çfarë është “67” dhe pse është zgjedhur?
Sipas Dictionary.com, “67” nuk është thjesht një numër, por një simbol i komunikimit absurd dhe argëtues që dominon në mediat sociale. Fjala (ose më saktë numri) “67” përdoret për të shprehur diçka të paqartë, një përgjigje që është njëkohësisht “po” dhe “jo”, ose një shprehje për “asgjë të veçantë”.
Ekspertët e gjuhës e quajnë këtë një shembull të “brainrot slang”, një mënyrë e re komunikimi që përdor absurditetin si formë humori apo ironie.
Origjina e trendit lidhet me këngën “Doot Doot (6 7)” nga artisti Skrilla, e publikuar në vitin 2024, si dhe me referenca ndaj basketbollistit LaMelo Ball, i cili është 6 këmbë e 7 inç i gjatë.
Pas publikimit, numri “67” nisi të përdorej në TikTok, X (Twitter) dhe forume online si shprehje ironike, p.sh.:
“Si po ndihesh sot?”,  “67.”
“A e ke parë filmin?”,  “67, ndoshta.”
Pra, një mënyrë për të dhënë një përgjigje që nuk ka kuptim literal, por që është pjesë e “gjuhës së internetit”.
Pse e zgjodhi Dictionary.com?
Përfaqësuesit e faqes shpjeguan se “67” është një “kasetë kohore gjuhësore”, që tregon sesi gjuha digjitale po evoluon në një ritëm të paparë.
Sipas tyre, përdorimi i kësaj “fjale” (numri) u rrit gjashtëfish gjatë tetorit 2025 në krahasim me të gjithë vitin 2024.
“67 përfaqëson një brez që përdor ironinë, absurditetin dhe kaosin për të komunikuar në mënyra që përjashtojnë kuptimin literal, por që janë thellësisht kulturore”, – thuhet në analizën e Dictionary.com.
Kjo zgjedhje tregon se gjuha e internetit është bërë një pasqyrë e kulturës moderne, ku fjalët humbin kuptimin e zakonshëm dhe shndërrohen në kode brenda komuniteteve digjitale.
Në një kohë kur shumë prisnin që termi “AI” apo “climate” të shpallej fjala e vitit, vendimi për të zgjedhur “67” tregon sesi absurdi mund të bëhet simbol i një epoke të tërë./ E.K
Burimi: The Economic Times
“Word of the year for 2025 is ‘67’: What does it mean?” (botuar më 30 tetor 2025)
 
			





