Ashtu si vitin që kaloi, edhe këtë vit pensionistët në të gjithë vendin do të përfitojnë në muajin dhjetor paketën e solidaritetit të caktuar nga qeveria shqiptare.
Lajmi u bë publik nga Kryeministri Edi Rama, gjatë një aktiviteti të zhvilluar me gra dhe vajza në Njësinë nr. 11 në Laprakë, ku ai foli edhe për rritjen e pagave për një sërë kategorish në buxhetin e ri.
“Përsëri këtë vit kemi mundësi që të vendosim një paketë solidariteti për pensionistët në muajin dhjetor, që është bërë pothuajse tradicionale. Në buxhetin e ri do të rrisim përsëri pagat për disa kategori, për arsimtarët, për infermierët, mjekët, ushtarakët, për policët e burgjeve dhe diplomatët, kemi ambasadorët më të keqpaguar në Europë. Tani kemi mundësi që t’i mbështesim pak më shumë, por progresivisht t’i çojmë në një nivel të arsyeshëm me ato të rajonit”, – theksoi Kryeministri Rama.