Vetingu për kryeprokuroren e Durrësit, Anita Jella ka përplasur Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Jella u konfirmua në detyrë në dhjetor të vitit 2019, ndërkohë që ky vendim për ONM-në është i padrejtë, duke kërkuar shkarkimin e saj.
Këtë herë ONM nuk kërkoi ndihmën e Komisionerit Publik. Në faqen zyrtare të KPK, përpos zbardhjes së vendimit për kryeprokuroren Jella, është edhe raporti i ONM-së, ku godet Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, për vendimin pozitiv që mori për Jellën dy muaj më parë. Në hyrje të raportit në fjalë, ONM-ja ka evidentuar gjetjet që sipas saj, ndikojnë në shkarkimin e kryeprokurores së Durrësit. Gjetjet janë në dy kritere, atë të pasurisë dhe atë të aftësive profesionale. Për kriterin e parë, ONM ka pasqyruar dy gjetje. “Mungesa e deklarimit për përdorimin e banesës së porositur nga vëllai i bashkëshortit A.SH, në vitet 2011 dhe 2016. Pamjaftueshmëria në lidhje me deklarimin e bërë nga subjekti i rivlerësimit në deklaratën veting për pagesën e këstit të parë për blerjen e një apartamenti”, shkruhet në raportin e ONM-së. Gjithashtu, në nisje të raportit, ONM ka konstatuar probleme edhe në kriterin e aftësive profesionale, konkretisht, për disa çështje të hetuara nga Jella. Sipas raportit, në punën e Kryeprokurores së Durrësit, janë konstatuar pabarazi. Në raport shkruhet se në të paktën në dy raste, Jella ka synuar mbrojtjen e të pandehurit.
“Ekzistenca e disa mangësive në lidhje me vlerësimet e prokurores, e cila jo vetëm ka shkaktuar pabarazi në trajtimin e çështjeve që janë në kompetencë të zyrës në fjalë, por të paktën në dy raste vlerësuesi ka shkaktuar një seri ngjarjes procedurale që synojnë mbrojtjen e të pandehurve, në njërin prej rasteve bëhet fjalë për një person publik”, shkruhet në raport.
ONM “godet” KPK-në
Ndërsa në raport nuk mungon dhe “sulmi” ndaj Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në raport, ONM pasqyroi rezultatin përfundimtar për gjetjet në dy kriteret e rivlerësimit, ndryshe nga KPK, duke arritur në përfundimin se Kryeprokurorja e Durrësit, Anita Jella nuk ka siguruar të kundërtën e gjetjeve. “Subjekti i rivlerësimit dështoi të provojë të kundërtën e gjetjeve në kriterin e pasurisë dhe në atë të aftësive profesionale, këto gjetje duhet të merreshin në konsideratë”, shkruhet në raport, ndërsa theksohet se përfaqësuesit ndërkombëtarë besojnë se të gjithë elementët e sipërpërmendur, duket të ishin të mjaftueshëm që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ta shkarkonte Kryeprokuroren nga detyra. KPK në vendimin e marrë për kryeprokuroren Jella, referuar gjetjeve në kriterin e aftësive profesionale, vendosi që dosjen e kryeprokurores ta transferojë në institucionet kompetente.
Referuar kësaj, në raport shkruhet se është mendimi i ONM-së që KPK ka marrë një vendim të gabuar, dhe rasti në fjalë duhet të konsiderohej nga Komisioni për të marrë vendimin për shkarkimin nga detyra të kryeprokurores së Durrësit, Anita Jella. Referuar mosdeklarimit për përdorimin e banesës së vëllait të bashkëshortit, ONM shkruan se disa çështje duhet të shprehen, ndërsa shton se përdorimi i banesës nuk ishte deklaruar në deklarata të ndryshme vjetore./Sot/ ORNELA ÇELPICA