Nis numërimi mbrapsht për ish-presidentin Ilir Meta që aludohet se ka qenë spiun i ish-Sigurimit të Shtetit dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzohet se ka qenë sekretar i Partisë së Punës.
Gazeta “SOT”, ishte e para media që e paralajmëroi gjatë kësaj jave se këtë të premte do mblidhej Konferenca e Kryetarëve, për t’i hapur rrugë përjashtimit nga politika dhe fusha të tjerë, për këdo që ka pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit dhe ka mbajtur poste në ish-Partinë Komuniste, ndërkohë që dje është hedhur hapi i parë për t’iu dhënë jetë këtyre nismave. Kështu, në nisje të sesionit të ri parlamentar, është mbledhur dje Konferenca e Kryetarëve për miratimin e programit të punës dhe kalendarin e punimeve të Parlamentit, teksa socialistët dhe demokratët që mbështesin linjën amerikanë e nisën më këmbën e mbarë sesionin e ri parlamentar. “Armiku i armikut tim është miku im” dhe “armiku politik i përbashkët është Meta dhe Berisha”.
Ky rregull i pashkruar, duket se bëri bashkë të majtët dhe te djathtët në Konferencën e Kryetarëve, të cilët i dhanë dritën jeshile nismave respektive ligjore që parashikojnë t’i japin fund karrierës politike të personave që kanë qenë në të shkuarën bashkëpunëtorë të Ish-sigurimit të Shtetit apo të favorizuar prej tij, ku padyshim që më të rrezikuarit janë Meta dhe Berisha. Më konkretisht, socialistët që gëzojnë shumicën ne Konferencën e Kryetareve i dhanë dritën jeshile tri nismave te propozuar nga grupimi Alibeaj;
Shpalljen muze kombëtar të burgut famëkeq të Spaçit dhe Tepelenës, dekomunistizimin e shoqërisë dhe deklasifikimin e dosjeve te ish-Sigurimit të Shtetit dhe në këtë pikë, duket se demokratët që mbështesin Enkelejd Alibeaj bien dakord me mazhorancën socialiste, e cila kërkon peshkimin sa me të shpejtë të bashkëpunëtoreve të ish-Sigurimit të Shtetit për t’i nxjerrë jashtë Parlamentit dhe Politikës.
Nismat ligjore të Partisë Socialistëve mund të konsiderohet si një Lustracion i plotë i politikës, pasi synohet ndërhyrja jo vetëm në ligjin e dekriminalizimit dhe kodin zgjedhor por edhe në ligjin e partive politike për të përjashtuar nga Parlamenti por edhe drejtimi i partive politike i bashkëpunëtoret të ish-sigurimit të shtetit.
Ndryshimet në ligje, “tronditin” një duzinë personazhesh
Por, pasojat e ndryshimeve ligjore të propozuara nga socialistët nuk bien vetëm mbi një person të përveçëm por edhe mbi forcën politike që ai drejton pasi nëse kryetari i partisë rezulton të jete ne dosjet e sigurimit te shtetit dhe nuk zbaton ligjin rrezikon që subjekti politik që ai drejton te shpërbehet. Me 5 shtator ligjvënësit rikthehen në ringun e tyre politik pas verës përvëluese, por vjeshta parashikohet edhe me e nxehtë.
Ilir Meta nuk e komentoi dje dakordësinë e parë të socialisteve dhe demokratëve në nisje të sesionit te ri parlamentar, por duket e nuk është i lumtur për një bashkim forcash dhe numrash në Parlament për largimin e tij dhe te Sali Berishës nga politika. Megjithatë, ndryshimet me të rëndësishme në tentativën për të pastruar politikën shqiptare nga spiunët, janë në ligjin e dekriminalizimit.
Në një prej neneve të ligjit ekzistues shtohet një paragraf ku parashikohet se “bashkëpunëtorëve ose të favorizuarve të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi”.
Kujt i faktohet bashkëpunimi i ndërpritet mandati. Ndërsa ndryshimi ligjit aktual për partitë politike synon mos lejimin e drejtimit të një force politike nga kryetar me dosje në sigurimin e shtetit ose ata që kanë shërbyer si sekretar partie. Nëse ky ndryshim realizohet atëherë Sali Berisha ish-Sekretar i parë i Partisë së Punës së Shqipërisë në QSUT, i hiqet e drejta për të qenë deputet dhe pjesë e politikës.
Nga ana tjetër, gazeta ka mësuar se përveç Metës dhe Berishës, të rrezikuar për t’u prekur nga ligji i Dosjeve dhe Dekriminalizimit janë edhe ministra dhe ish-ministra, deputetë dhe ish-deputetë, prokurorë, gjyqtarë, kryetar bashkish, drejtorë në administratë dhe policie, të cilët në rast se rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit, do të përjashtohen nga sistemi dhe vendimmarrja.