Nard Ndoka e identifikon si një gabim të liderit të PD paktin politik mes tij e Ramës, duke thënë se reforma zgjedhore nuk do të mund të bëhet përmes pazareve politike.
I ftuar në Oranews, Ndoka u shpreh se Basha duhet të tregohet i sinqertë me partitë aleatë në opozitë në lidhje me reformën zgjedhore, një proces i cili duhet ta fusë në punë opozitën që të shtyjë përpara kërkesat e saj.
“PD besoj që e ka kuptuar gabimin e vet, se reforma zgjedhore nuk kryhet nëpërmjet pazareve politike, nuk kryhet që dy parti politike vendosin se kush do të jetë gara për të garuar gjithë faktori politik.
Kjo është një mendësi primitive e gabuar dhe ka rezultuar e dështuar për të dyja palët, një kosto jo të vogël ka edhe PD. Ndaj, shpresoj që edhe Basha do të reflektojë nën frymën e një konsensusi në radhë të parë me partitë opozitare.
Shpresoj që PD do tregohet e sinqertë me aleatët e vetë edhe nuk e ka luksin që të bëjnë përsëri manovra, çka do ta nxirrte atë të zbuluar edhe përballë aktorëve të tjerë politike por edhe në sytë e qytetarëve.
Kështu që Basha e ka mision politik edhe harmonizimin e problematikës që ekziston mes partive politike opozitare duke vendosur një standard të besueshëm për gjithë politikën”, shprehet aleati i Bashes, Nard Ndoka..
Kryetari i Partisë Demokristiane tha se opozita do të hyjë në zgjedhjet locale me qëllimin për t’I fituar ato.
“Opozita është e vendosur për të hyrë në zgjedhje, sepse në fund të fundit kjo është edhe aksioni politik për tu përballur me mazhorancën, e cila është në rënie. Çdo ditë ka skandale nga më të ndryshme duke vështirësuar jetën e qytetarëve.
Ne nuk shohim një pengesë për të anashkalaur përballjen me këtë mazhorancë. Por nga ana tjetër kemi një mazhorancë të papërgjegjshme, e cila po provokon nëpërmjet reformës zgjedhore në mënyrë të njëanshme.
Nuk ka minimumin e respektit institucional për opozitën, për të tentuar kompromisin, konsensusin për politikën shqiptare, për të vendosur disa standarde, për tu bërë opozita pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë.
Ajo nismë ligjore që opozita ka për dekriminalizimin e politikës është mjaft e rëndësishme për të krijuar një klimë besimi për zgjedhjen. Pra, ka disa pengesa, disa madje kanë vendosur një humnerë mes palëve.
Unë shoh një lloj përplasje politike. Me këtë situatë politike, nëse nuk do ketë një kthesë të menjëhershme nga kryeministri, unë shoh një hendek të madh dhe zgjedhjet lokale janë të rrezikuara.
Natyra e zgjedhjeve lokale është më komode për opozitën, në fund të fundit për ta testuar edhe këtë mazhorancë, qëndrueshmërinë e saj, si do reflektojë përballë këtyre kërkesave të ligjshme që opozita ka”, deklaron Ndoka.