Komisioni Europian do të mbajë gjallë shpresat e anëtarësimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me një strategji zgjerimi që ka afat deri në 2025-ën. Strategjia e re do të publikohet të martën, thotë Financial Times në një artikull lidhur me çështjen. Perspektiva e një anëtarësimi të ardhshëm, sado e largët, ka qenë prej kohësh një shtysë për reforma dhe pajtim në rajon pas luftërave në vitet 90-të.
Por lodhja që përfshiu unionin pas krizës financiare të 2008-ës, problemet e borxhit në Eurozonë dhe votimi i Britanisë për të shkëputur nga BE-ja, kanë hedhur dyshime mbi këtë perspektivë.
‘Në një farë mënyre, 6 vendet nuk janë të jashtme, janë që tani brenda dhe neve na nevojiten’, thotë një diplomat i BE-së, pro zgjerimit, i cili shton se procesi i zgjerimit ka nevojë për energji të reja. Komisioni pritet t’u kërkojë 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor të zgjidhin mosmarrëveshjet bilaterale e të luftojnë korrupsionin, shkruan Financial Times. Serbia dhe Mali i zi, vijon e përditshmja shihen si dy aspirantët që kanë më shumë gjasë të anëtarësohen në afatin e caktuar përpara Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Kosovës.
Por përballë rrezikut të Rusisë, e cila po zgjeron influencën në rajon ku si një partner alternativ, strategët e BE-së do të përpiqen që përmes strategjisë dhe më pas samitit të Sofies, të bindin edhe vendet e tjera të Ballkanit, se shpresat për anëtarësimin ekzistojnë. Ndërsa shumë shtete anëtare janë pro zgjerimit, rajoni mund të përballet me kundërshtitë e disa vendeve të rëndësishme. Spanja ka refuzuar historikisht të njohë Kosovën si një shtet i pavarur, për shkak të shqetësimeve për një precedent të mundshëm për statusin e Katalunjës. e.k/dita