Projekti i fiskalizimit dhe kostoja që do të sjellë ai tek bizneset ka qenë gjithashtu një nga temat e diskutimeve të ditës së djeshme në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Ishte zëvendësministri i Financave, Elton Haxhi, ai i cili hapi sërish diskutimet rreth kostos së fiskalizimit, më konkretisht koston që sjell pajisja me memorie për gjenerimin të dhënave në sistemit e ri softwerik.
Sipas Haxhit, vetëm kasat aktuale janë të pajisura me memorie të posaçme, ndërsa pajisjet e reja softwerike nuk e kanë, pasi regjistrojnë dhe transmetojnë të dhënat në kohë reale. Haxhi sqaroi se nuk është nevojshme që qeveria t’i detyrojë tatimpaguesit të paguajnë dhe për këtë pjesë, pasi instalimi i saj do të sillte 5 mijë lekë të reja kosto shtesë. “Praktikisht dua të sqaroj se vetëm kasat aktuale kanë të instaluar memorien, ndërsa për disa pajisje softwerike kjo është e pamundur, pasi varet nga kategoriae tyre. Atëherë mendoj që nuk kemi pse detyrojmë tatimpaguesit që në sistemin e ri të kenë dhe akses të memories, pasi procedurat e nevojshme këto sisteme i bëjnë menjëherë. Në të kundërt detyrimi me paisje edhe të memories në sistem do të jetë 5 mijë lekë kosto plus për tatim paguesit”, u shpreh Haxhi.
Por, arsyetimi i zëvendësministrit nuk është pranuar nga kryetari i komisionit, Arben Ahmetaj. Ai i kërkoi Haxhit të mos vazhdojnë më diskutimet për këtë çështje pasi u shqyrtua në komision e një dite më parë dhe se është rënë dakord që të gjitha pajisjet do të kenë të përfshirë edhe memorien, pavarësisht se do ketë një kosto plus. “Fiskalizimi kalon me memorien brenda siç e lamë zëvendës ministër dhe kjo pikë është e panegociueshme. Le të jetë kosto shtesë, na duhet patjetër që të mos çorientohet i gjithë sistemi”, tha Ahmetaj. Ndërkohë, Elton Harxhi theksoi se, ranë dakord që memoriet mund të jenë të fiskalizuara ose të pafiskalizuara pasi nuk përbën ndonjë problem. Por, kreu i komisionit vazhdoi të këmbëngulte se kjo pikë nuk do të ndryshohet më, pas konsultimeve tashmë, si përfundim komisioni vendosi çdo që biznes duhet të ketë në pajisjen e tij fiskal të përfshirë edhe memorien, e cila do i kushtojë 5 mijë lekë të reja.
Heqja e tatimit-fitimit për dhurimin e pronës
Ndër të tjera, në mbledhjen e ditës së sotme të Komisionit është vendosur të anulohet taksimi në rast dhurimi mes trashëgimtarësh për pronat e patundshme. Tatimi aktual është sa 15 për qind e vlerës së pronës së përfituar me dhurim. Ndërkaq një propozimi i paraqitur nga deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, kërkohet që në rast të dhurimit, qytetari përfiton pronën pa paguar taksë në Kadastër, çka deri tani ishte në masën 15 për qind të pronës. Propozim ky që vlen vetëm për dhurim të truallit apo të vetëm një banese, konkretisht në ato raste kur dhurimi bëhet nga prindi tek fëmija apo nga bashkëshorti tek bashkëshortja. “Ky amendament ka për qëllim që të përjashtojë nga pagesa e taksës në vlerën 15% që është aktuale për rastet e kalimit të pronësisë me dhurim vetëm për trashëgimtarë të kategorisë së parë, për pasuritë që sjellin të ardhura në 30 milionë lekë.
Nuk përfshihen në këtë përjashtim dhurimet e bizneseve apo subjekteve komerciale”, tha deputetja e PS. Ky propozim është mirëpritur nga anëtarët e komisionit dhe nga ministria, por me një ndryshim që të hiqet vlera tavan prej 30 milionë lekësh për banesën apo truallin e dhuruar. “Është shumë i vlershëm propozimi juaj dhe shumë me rëndësi që sqaroni se përfshihen në këtë propozim dhurimi vetëm për një banesë, gjithsesi atë 30 milionë lekëshin hiqeni mendoj unë”, u shpreh Ahmetaj. /Esmeralda Hida