Nga Anri Bala
Fitore, do fitojmë, fituam dhe në fund… humbëm! Një humbje spektakolore, kur fitorja ishte e “sigurtë”, aty brenda në kuti, e lidhur dhe e kopsitur fort, e vëzhguar dhe e ruajtur si thesar, me trima, ushtarë dhe zagarë… në fund ndodhi ajo që nuk pritej, fitorja ishte arratisur nga dora e PD-së, për të pestën herë. Pra, fitorja e ka bërë “lanet” PD-në.
Por duhen vesh, mend dhe guxim për të kuptuar përse dhe për të pranuar me dhimbje, se ka ndodhur diçka e rëndë. Ka gjasa, që “fitorja” qenka e tmerruar nga PD dhe ka marrë rrugën e arratisë, për të mos u kthyer lehtë. Në fakt, fitoren e larguan me shkelma vet strategët politik të PD-së, me bashkimin me parti të vogla pa asnjë vlerë, për të treguar simbolin e fuqisë së bashkimit, një bllof që nuk funksionoi, ashtu siç funksionon në një lojë pokeri.
PD duhet të kuptoj, se politika nuk është bixhoz, por një lojë shahu me mbret, mbretëreshë, oficera, kuaj, kështjella dhe luftëtarë… praktikisht, është art për të fituar. Nuk mund të presësh fitore pasi ke emëruar gjeneral disa eunuk të haremit të politikës shqiptare, që sot futen mes shalëve tuaja, ndërkohë sapo kanë dalë nga shalët e kundërshtarit.
Këta eunuk, ishin aq të pavlerë sa i bënë gjëmën PD-së, duke i marrë vende të pamerituara në Parlament, e duke mos i dhënë asgjë… sepse nuk kishin çfarë të jepnin. Bashkimi me këta frymor politik, nuk të çon drejt fitores, sepse nuk prodhon fuqi, energji, burrëri… por dobësi, shterpësi dhe tradhëti.
Këtë Basha nuk e kuptoj dhe bëri që fitorja e ëndërruar të kthehej në një “mision të pamundur”, sepse politika nuk vlerësohet nëse di apo nuk di të shumëzosh, por a di të bësh politikë. Çuditërisht, pas asaj që ndodhi, eunukët paskan ditur të bëjnë politik shumë më mirë se sa vetë ai, udhëheqësi i ushtrisë së mercenarëve.
Me shantazhimet e tyre, duke u mburrur se kishin bole, kur në fakt ishin tredhur prej vitesh, nga inteligjenca e qytetarëve shqiptarë, ata arritën të siguronin vetëm mandatin e tyre me votat e demokratëve në parlament. Ndaj, Luli së pari duhet të përgjigjet për eunukët që vuri në krye të listës së djathtë, duke lënë pas dere shumë demokratë, që vlenin shumë herë se ata dhe më e pakta nuk ishin të tredhur.
Ideja se bashkimi bënë fuqi, vlen kur bashkohen burra në logun e burrave dhe jo “zymbyla” në skutat e haremit, për tu marrë me thashetheme.
Shpresa për fitore do kthehet, vetëm atëherë kur PD-ja të kuptoj, se bashkimi me eunukrinë të çon drejt… haremit.
Ata duhen larguar sa nuk është vonë, që të mos u jepet mundësia të ndërhyjnë në politikat strategjike të së ardhmes nga PD. Tani sa s’është vonë, që të mos “tronditeni”, kur vota e tyre t’u kthehet në bumerang! /Ekskluzive.al