Redaksionale DITA
John Edgar Hoover, shefi i famshëm dhe krijuesi i FBI-së (Byrosë Federale të Hetimeve) Amerikane, vdiq më 2 maj 1972, ndërsa ishte ende në detyrë, në moshën 77 vjeç.
Hoover mbajti pozicionin e drejtorit të FBI-së për rreth gjysmë shekulli, duke ndërruar tetë presidentë të Shteteve të Bashkuara. Me një karrierë të diskutueshme, ai ishte si krijuesi ashtu dhe dhunuesi i hetimit modern.
Emri i Hoover-it është lidhur, herë pas here, me dyshime për dhunë gjatë disa hetimeve shumë delikate, të tilla si ato që lidhen me vrasjen e Martin Luther King, apo hetimin e dhunshëm ndaj Charlie Chaplin. Hoover u akuzua shpesh se kishte përdorur metoda përgjimi të paligjshme dhe informacion konfidencial si mjete për t’i mbajtur gjithmonë nën kontroll disa presidentë amerikanë, me qëllim që karriera e tij mos përfundonte kurrë.
Dhe ashtu ndodhi. Hoover vdiq në detyrë dhe Presidenti Nixon vendosi që, pas tij, drejtimi i FBI-së nuk mund t’i besohej të njëjtit person për një mandat më shumë se dhjetë vjet.
Kjo histori amerikane nuk ka pse gjen ndonjë përngjasim me “FBI”-në shqiptare të shkurt-marsit 2025, për më tepër që Erion Veliaj s’është një Luther King dhe, as Dado me Dumanin nuk peshojnë sa Hoover-i i FBI-së origjinale.
Ajo çfarë mund të përngjasojë pak është metoda e përgjimit “Hoover” në nivele të larta. Erion Veliaj, i pandehuri “VIP”, u përgjua brenda në burg. Gent Ibrahimi, i kallëzuari me mantel kushtetues, u përgjua në rrugë.
Këta dy shembuj të ndezin fantazinë të mendosh se ç’mund të ketë Ilir Meta në qeli, presidenti Bajram Begaj në shtëpi, apo Edi Rama nën sedilje kur shkon për Surrel.
Përgjimi i Erion Veliajt në burgun e Durrësit krijoi prova bindëse për gjyqtarin Engert Pëllumbi, për ta lënë kryebashkiakun aty ku deshën dy prokurorët e SPAK, në burg. Të paktën kështu u përfol nga mediat dhe u pranua nga vetë Veliaj nëpërmjet një statusi të orëve të fundit.
Altin Dumani dhe Ols Dado e “ruajtën” Erion Veliajn brenda në burg dhe e kapën. E kapën duke folur me vëllanë, duke u qarë me gruan, duke sharë Ulsiun, duke mallkuar armiqtë, duke dirigjuar furtuna mediatike ndaj “kasapëve” të tij, prokurorë dhe gjyqtarë.
Qëndrim refraktar ndaj drejtësisë apo sjellje e pabindur ndaj shërbëtorëve të saj? Këtë dilemë e ka zgjidhur gjyqtari Pëllumbi për 10 minuta, pavarësisht se u mendua tre ditë, kur lexoi vendimin e zgjatjes së “arrestit me burg” për Erion Veliajn.
Shumë hodhën fishekzjarre në mes të ditës për verdiktin “me burg”, disa u habitën, pak dyshuan. Engert Pëllumbi është gjyqtar me integritet, nuk mund të intimidohet, as mund të blihet (si aludoi opozita) dhe në profesion është ndër më të zotët.
Ligji është i qartë: “Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit.”
Veprat që ka Erion Veliaj mbi shpinë janë disa, nga më të rëndat. Rrezikshmërinё e tij mbetet të na e zbardhë vendimi. Sa shumë i rrezikshëm është Erion Veliaj jashtë qelisë dhe rrethimit të burgut? Tani që do të jetë brenda, nuk do të flasë më me gruan? Nuk do të shajë më me fjalë të ndyra ministrin? Nuk do të mallkojë dhe dirigjojë më “bjeruni qenve” të SPAK?
Çfarë do të ndodhë tani që përgjimi u mor vesh? Do t’i ndalohet të flasë në telefon? A do t’i mbyllet goja dhe do t’i vihet një skafandër në kokë? Apo do të futet në 41-bis?
Asgjë nga ato që Erion Veliaj ka bërë nuk do të mundet që qelia t’ia ndalojë. As “dirigjimin”, as porositë, as mallkimet ndaj atyre dhe asaj që ai e quan padrejtësi.
Afërmendsh që Erion Veliaj do të vazhdojë të flasë dhe të shkruajë si më parë, ndoshta më shumë dhe më rëndë. Pajisja përgjuese “afërmendsh” do të ketë vlerë vetëm për gjyqtarin apo gjyqtarët e radhës.
Kjo është drejtësia që na ofron SPAK me pajisjen e saj “afërmendsh”?
Po sikur kjo pajisje të jetë përdorur edhe në rastin Pëllumbi, ashtu si në rastin Ibrahimi? A nuk janë të dy juristë dhe njerëz dinjitozë aq sa edhe me integritet? Afërmendsh që janë. Afërmendsh që të dy gjyqtarët, të gjithë gazetarët, politikanët, të burgosurit politikë dhe mediatikë duhet të kenë qetësinë që nuk përgjohen, nuk denigrohen, nuk shantazhohen.
Të gjithë mund të kenë shijet e tyre të çuditshme brenda banjos, krevatit apo jetëve të tyre. A duhet vendosur pajisja “afërmendsh” me apo pa vendim gjykate, në “prizë” për të gjetur thesarin e korrupsionit?
Pajisja “afërmendsh” duhet të na merakosë të gjithëve, si media, si shoqëri, si drejtësi.
Askush nuk ka të drejtë të gërmojë jetën e askujt, por prokurorët që kanë dorëzuar jetën e tyre në televizorin tonë publik, nuk mund të ankohen për privatësi. As familjarët e tyre.
E thamë edhe disa ditë më parë: Ne duam të dimë çdo thërrmijë të jetës së tyre, duam të dimë si flasin, si sillen, si hanë, si pinë… dhe afërmendsh duam të dimë për të kaluarën e tyre. Për kapacitetin e tyre. Per dëshirat e tyre. Për ëndrrat e tyre.
Dhe nëse Ols Dado ka pesë “hetuesinë”, afërmendsh që s‘mund të jetë Hoover-i im!